Kolumna

Ballkani po shkon drejt luftës?! – Mesazhi britanik, duhet bashkëvepruar kundër aleancës serbo-ruse

Nga: Idriz Morina

Britania e Madhe ka hedhur një hap të veçantë duke e emëruar emisar për Ballkanin perëndimor, një ushtarak të karrierës dhe me një përvojë të jashtëzakonshme.

Kjo nuk do të thotë se Britania ka pasur një rol më të vogël, por është interesant motivi dhe kujdesi të cilin e bën Britania e Madhe për situatën aktuale në Ballkan.

Kërcënimi i demokracive ballkanike

Sigurisht se motivi është situata delikate, të cilën ndoshta më së sakti e ka përshkruar vetë kryeministri britanik me rastin e emërimit në detyrën e emisarit ish Shefin e Forcave Ajrore të Britanisë së madhe, Sir Stuart Peach.

“Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin e tyre në më shumë se dy dekada. Jam krenar që emëroj Sir Stuart si të dërguarin tonë të ri special – përvoja e tij e gjerë do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen në rajon”, ka shkruar Kryeministri britanik Boris Johnson në rrjetin social Twitter.

E para sipas kryeministrit britanik, situata është më delikatja pas 20 vitesh, pra diçka që mund t’i ngjasojë situatës para fillimit të luftës në Kosovë.

Edhe sipas kryeministrit, por edhe sipas ministres së jashtme britanike, situata është aq e ndjeshme sa po vlerësohet se është e domosdoshme mbrojtja e demokracisë në rajon, përkatësisht e çdo shteti veç e veç.

“Emërimi i Sir Stuart Peach është një demonstrim i qartë i përkushtimit të Britanisë për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon. Mirëpres thellimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë me Ballkanin Perëndimor si dhe punën së bashku për të penguar aktorët keqdashës”, tha ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, me rastin e emërimit të Sir Stuart Peach, në detyrën e re.

Duke e ditur situatën gjithnjë e më të brishtë, në Bosnje, të nxitur nga Serbia, me përfaqësuesin e saj Milorad Dodik, i cili është takuar me Putinin veçmas, para se atje të udhëtonte Vuçiqi, dhe përkrahjen e deklaruar nga ai vetë, pastaj informacionet që Serbia të ndërtojë një central bërthamor rus, situata e brishtë në veri të Kosovës, ku për shkak të ndërhyrjes serbe, Kosova nuk po mundet ta vendosë rendin dhe ligjin, rreziku për konflikt është rritur maksimalisht.

Dodik po ashtu është lavdëruar se edhe Kina është e gatshme ta mbrojë, sipas tij. Avancimi i Kinës në teknologjinë ushtarake me prodhimin e raketave hipersonike, por që nuk bën lëvizje parabolike, por rrethore ndaj orbitës së tokës, dhe gjatë rrotullimit vazhdon të rrisë shpejtësinë, e ka alarmuar të gjithë perëndimin.

Kërcënimi apo mbështetja kineze, nuk është më e parëndësishme, përveçse në lindje, edhe në perëndim!

Një nga mediat kryesore ruse “Pravda” ka shkruar këto ditë se Rusia mund të dërgojë forcat e saj ajrore në Bosnje “për të ndihmuar Republikën Serbe”.

Ndaj këtij informacioni ka reaguar udhëheqësi i Partisë Demokratike për Veprim, Bakir Izetbegoviç, duke theksuar se forcat ushtarake ruse mund të vijnë në Bosnje e Hercegovinë vetëm si pjesë e EUFOR-it dhe në koordinim me Presidencën e Bosnje e Hercegovinës.

Pse u emërua një ushtarak i shquar

Kujdesin e saj Britania për situatën shqetësuese po e tregon me emërimin e një ushtaraku të shquar në këtë detyrë, i cili ka shërbyer në Kosovë si komandant i forcave ajrore, pas luftës.

Zgjedhja e një ushtaraku në këtë detyrë, tregon se imazhi i situatës së sotme është një gjendje alarmante, apo prag lufte.

Në këtë mënyrë si për vetë Britaninë, por edhe për shtetet e përfshira në tensionet diplomatike, mesazhet që do të përcillen janë të karakterit ushtarak.

Britania po ua përçon mesazhin vendeve provokuese, se është e gatshme për veprime ushtarake në rajon, nëse këtë e kërkon situata.

Duket se pikërisht për shkak se Rusia ka kërcënuar me dërgimin e forcave ajrore ruse në Republikën serbe, është emëruar emisar special, një njohës i shquar i kësaj fushe, për të pasur gjithë vëmendjen dhe gatishmërinë për të penguar një desant rus.

Vendosja e një baze ruse, qoftë edhe ajrore, do ta ndryshonte përgjithmonë politikbërjen perëndimore në Ballkan, dhe konflikti lindje-perëndim do të përshpejtohet.