Maqedoni

“Ballkani i Hapur” vazhdon të mbetet me dyer të hapura/ Liderët presin që edhe Kosova të afrohet me nismën rajonale

Samiti i katërt i nismës “Open Ballkan” mblodhi në Ohër përfaqësues të 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor. 3 liderët e vendeve nismëtare, Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski, ai i Shqipërisë Edi Rama si dhe Presidenti i Serbisë Alekandar Vuçiq. Si mysafirë vëzhgues ishin kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe kryesues i Këshillit të ministrave të BeH-së Zoran Tegeltija. Vendi i 6 i Ballkanit Perëndimor që mungonte ishte Kosova, kryeministri i së cilës, Albin Kurti, refuzoi pjesëmarrjen. Për këtë pyetëm Ramën, kur po pinte kafe me Abazoviqin dhe kreun e BDI-së, Ali Ahmetin.

“A po ju mungon Kosova?

Urdhëro?

A po ju mungon Kosova në tavolinë?

Po ti çfarë po bën, intervistë?

Po ju pyes.

Në konferencë shtypi. Na leni ta pimë këtë kafen…”- tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Para gazetarëve u shpreh se do të dëshironte që sot në Ohër të ishin 6 vende, e jo vetëm 5.

“Do të dëshiroja që të ishim 6 dhe dëshiroj që të jemi 6, por një gjë është e sigurt, pikërisht sepse është i njerëzve, i vendeve i së ardhmes, Ballkani i Hapur as nuk ndalet e as nuk mbyllet. Kjo mbase është pak, por është e sigurt dhe kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet dhe kush heziton, është i destinuar të humbë kohë të çmuar për të përfituar nga kjo nismë”- deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Dera për Kosovën vazhdon të mbetet e hapur, u shpreh gjatë mëngjesit Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski, ndërsa në mbyllje të samitit shtoi se përpjekjet janë që rajoni të evropianizohet duke sjellë standarde që do ta përmirësonin dhe lehtësonin jetën qytetarit.

“Një orë e më parë qytetarët tanë nga “Ballkani i Hapur” të ndejnë përfitimet ekonomike dhe të tjera. Ajo mund të jetë një pushim i mirë në Sarandë, Ohër ose Kopaonik me kushte dhe çmime të volitshme. Mund të jenë lehtësime të reja për kalim më të shpejtë të mallrave të cilat kompanitë duhet t’i eksportojnë ose importojnë. Lëvizje më e shpejtë e qytetarëve tanë”- pohoi Dimitar Kovaçevski-Kryeministri i Maqedonisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalës së tij tha se vendi i tij asgjë nuk kërkon nga Maqedonia e Veriut përveç marrëdhënieve miqësore dhe vëllazërore, ndërkaq Edi Ramën e falënderoi për vendosmërinë ndaj “Ballkanit të Hapur”, pa të cilin, sipas Vuçiqit, nisma nuk do të mbijetonte.

“Siç jam çdoherë i pakënaqur me vetveten dhe rezultatet e arritura, të të cilat mjaftueshëm i kemi arritur, sot marrëdhëniet si ekonomike dhe tregtare janë në rritje drastike, por edhe politikisht pothuajse nuk kemi çështje të hapura dypalëshe në mes të 3 vendeve tona, kurse disa prej çështjeve më të vështira kemi arritur t’i zgjidhim përmes historisë. Këto kanë sjellë ndryshime të mëdha në të kaluarën”- tha Aleksandër Vuçiq, President i Serbisë.

Në kuadër të këtij samiti të katër të “Open Ballkan” u nënshkruan 4 marrëveshjet që lidhen me njohjen e diplomave ne arsimin e lartë, bashkëpunim në fushën e turizmit, bashkëpunimin kulturor si dhe memorandum për bashkëpunim në administrimin e taksave.