Maqedoni

Babai i dëshmorit nuk lejoi Ali Ahmetin të vendosë lule te varri i djalit të tij: Zgjidhne statusin e UÇK-së!

Në ceremoninë e shënimit të fillimit të luftës së UÇK-së në Sllupçan i pranishëm ishte edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Ai bashkë me funksionarë të tjerë të partisë bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në këtë fshat, por në shenjë revolte për mos zgjidhjen e statusit të ish UÇK-së, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, u pengua nga babai i dëshmorit Ali Mahmuti që të vendosë lule mbi varrin e djalit të tij. Dëshmori i UÇK-së, Ali Mahmuti nga Hasanbegu i Shkupit ka rënë në betejën e Mateçit në luftimet e vitit 2001. /Alsat.mk

22 vjet nga fillimi i luftës, veteranët e UÇK-së ende pa status të zgjidhur

Në Sllupçan të Kumanovës u përkujtua nisja e betejës së UÇK-së. 2 Maji i mblodhi të gjithë në qendrën memorialë te varrezat e dëshmorëve. Por pak prej tyre ishin prezent në 2001, kur kjo zonë u shpall e lirë me nisjen e luftës për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Ku janë heronjtë pas më shumë se 2 dekadave? Zgjidhja e statusit politiko-juridik të shqiptarëve në Maqedoni sot e 22 vite nuk është realizuar, ndonëse ishte ideali kryesor i luftës për të drejtat e tyre, thonë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kryetari Besim Hoda tha se partia politike në pushtet BDI, që doli nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare 2001, nuk i bëhet vonë të rregullojë me ligj statusin e veteranëve të luftës dhe të familjeve të dëshmorëve.

“Branitellat brenda 22 viteve kanë realizuar disa herë të drejtat e tyre me ndryshimet Kushtetuese ose nene plotësuese, një invalid lufte maqedonas merr 1,500 euro, për çdo të rënë maqedonas familja merr nga 800 euro dhe fëmijët e tyre nga 150 euro që arrijnë një rrogë të majme. Ajo që është më injoruese dhe e dhimbshme jo që nuk u përpoq asnjëherë seriozisht zgjidhja e statusit të veteranëve UÇK-së me ligj, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës por ne sot e kësaj dite në Kushtetutën e Maqedonisë, duke marr direkt nga legjislativi jugosllav trajtohemi si terroristë dhe si kriminelë”, u shpreh Besim Hoda, Kryetar i OVL-UÇK-së.

Hoda thotë se përfituesit më të mëdhenj janë që nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti e deri tek eksponentët e tij politik, të cilët vazhdojnë të përfitojnë nga gjaku i të rënëve. Kreu i kësaj organizate tha se sa herë që vinë fushatat zgjedhore politikanët e kanë gojën plot me premtime, duke marr merita edhe ata që në 2001 kanë qenë refugjatë jashtë vendit, madje edhe që kanë punuar kundër idealeve të luftës së atëhershme. Hoda iu bën thirrje si Grubit ashtu edhe bashkëpunëtorëve të tij që mos ta fëlliqin UÇK-në me brohoritje nëpër tubime.

“Të gjithë atë përpjekje gjithë kombëtare e kthyen në interesa personale dhe materiale, duke u përfshirë në subjekte politike, sot gëzojnë beneficione të majme me rrogat që marrin, me korrupsionin duke shkelur mbi gjakun e shokëve tanë dëshmorëve e invalidëve të luftës, ata janë amnistuar për vete. Ata shkojnë në manifestime të ndryshme për të thithur ende gjak të pastër të dëshmorëve dhe për të mashtruar familjet e tyre me një tufë lule ose akademi përkujtimore që tani më shumë u bëhet të gjallëve ose atyre që ranë pas luftës se sa dëshmorëve që u flijuan në front”, tha Besim Hoda, Kryetar i OVL-UÇK-së.

Organizata e OVL-UÇK-së nuk heq dorë nga kërkesa e tyre që të zgjidhet statusi i të gjithë atyre që kontribuuan për të drejtat, të cilat tani i gëzojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet pakicë në Maqedoni. Ai thotë se në çdo cikël zgjedhor marrin premtimin se do tu zgjidhet statusi i tyre, por që pas vazhdojnë pushtetin në kurrizin tonë, i shikojnë vetëm interesat personale dhe grupore të tyre. Hoda tha se postet që marrin funksionarët e BDI nuk mbajnë përgjegjësi kombëtare, por vetëm benefite familjare. /Alsat.mk

Ahmeti: Ata s’e dinin që nënat tona i kanë rritur bijtë në djepa prej prushi

Shkup, 2 maj- Me këngë dhe valle patriotike në fshatin Sllupçan të komunës së Likovës u mbajt manifestimi tradicional: Zona e lirë në Karadakun e pamposhtur, të organizuar nga SHVL-Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Sadulla Duraku, ish komandat i UÇK-së tha se pikërisht më 2 maj të vitit 2001 nga Sllupçani u çua porosi se UÇK-ja është gjallë.

“Kur propagandonin mediat sllave se UÇK-ja është ndalë, është zhdukë, është humbur, ne pikërisht me 2 maj vendosëm në konsultim me shtabin e përgjithshëm të UÇK-së dhe shtabin e brigadës 113 Ismet Jashari po në këtë vend në orën 14:4 minuta të dalim me uniformë dhe t’i tregojmë armikut se jemi këtu gjallë”- deklaroi Sadulla Duraku – ish komandat i UÇK-së.

Në fjalimin e tij ish komandanti i përgjithshëm UÇK-së Ali Ahmeti tha se shqiptarët nëpër dekada kanë sakrifikuar, por asnjëherë nuk u përkulën.

“Kundërshtarët tanë përballë që kishim nuk e dinin që nënat shqiptare i kanë rritë bijtë dhe bijat e veta në djepa prej prushi, që nuk dinë të ndalen kur dikush ja shkel barin mbi varre. Ne shqiptarëve na përçmonin, na vrisnin, e masakronin, çdo periudhë të historisë që po kalonim. Nëpër dekada kanë sakrifikuar burra e gra por, asnjëherë nuk u përkulën. Siç e tha Sadullai, që ajo nënë e Sllupçanit na dridhi trupin, mornica shtati na shkoj kur tha që ne nuk ndahemi për luftëtarëve tanë dhe ne do të vritemi këtu. Prandaj këto amanete, këto histori që ka kaluar kombi ynë nuk janë të thjeshta, por të vërteta. Se po ta na prek dikush ato që kemi arritur me gjak e djers për flamur e gjuhë amtare ngjallen serish heronjtë ndër varre”.- tha Ali Ahmeti – ish komandat i përgjithshëm UÇK-së .

Ahmeti përmendi një nga një emrat e të gjithë dëshmorëve të kombit që ranë në luftën e 2001. Në këtë manifestim të pranishëm ishin edhe mysafirë të shumtë si Fazli Veliu, Hydajet Hyseni, kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi. Ndryshe konflikti i vitit 2001 u mbyll me marrëveshjen paqësore të Ohrit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

Mexhiti: Sllupçani, simbol i rezistencës

Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti dhe njëri nga drejtuesit e fraksionit “Grupi i Zjarrit”, ka përkujtuar 2 majin, ditën kur rajoni i Karadakut të Kumanovës, u shpall Zonë e Lirë nga UÇK-ja.

“2 maj 2001 ishte ditë e veçantë për zonën e Karadakut në veçanti, por edhe për gjithë shqiptarët anembanë në përgjithsi. Nga kjo ditë në vitin 2001, u çlirua zona e Likovës, ndërsa Sllupçani do të mbetet gjithmonë në memorjen kolektive si simbol i rezistencës!
Mirënjohje për gjithë luftëtarët dhe invalidët UÇK-së dhe përulje e lavdi për dëshmorët e kombit!”, ka shkruar Mexhiti.