Baba Mondi: E shoh veten si vëlla i popullit izraelit
Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi), duke kujtuar vizitat e tij në Izrael, i cili ka vazhduar sulmet ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023, tha se e sheh veten si vëlla të popullit izraelit, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për “The Jerusalem Post”, Brahimaj foli për vizitat e tij në Izrael, i cili ka një vit që vazhdon sulmet ndaj Gazës.
Duke treguar se disa herë e ka vizituar Izraelin dhe se dëshiron sërish ta vizitojë, Brahimaj tha se edhe më parë ka pritur disa grupe izraelite në Shqipëri.
“Izraelin e di dhe e shoh veten si vëlla i popullit izraelit. E pash gjithë Izraelin me të gjithë miqtë e mi atje”, tha ai.
Duke theksuar se është “ndikuar shumë nga mikpritja” e Izraelit gjatë vizitës, Brahimaj tha se në Izrael “është pritur si një vëlla dhe shok”.
– Dëshiron themelimin e një shteti të ngjashëm si “Vatikani”
Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha se dëshiron të krijojë një shtet të ngjashëm me “Vatikanin” në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, i cili do të ishte qendra e bektashinjve.
Ai kërkoi nga qeveria shqiptare të nxjerrë një ligj për themelimin e “Vatikanit bektashian” në Tiranë, kështu duke kërkuar njohje nga komuniteti ndërkombëtar.
Brahimaj tha se në këtë shtet të vogël dëshiron t’i përfaqësojë të gjithë bektashinjtë në katër anët e botës. “Ne jemi duke zhvilluar strategji të ndryshme për zbatimin e këtij plani. Por, së pari qeveria shqiptare duhet të miratojë një ligj që ndryshon statusin tonë”, tha ai.
Kreu i bektashinjve nënvizoi se sot operojnë pothuajse kudo në botë, përfshirë Ballkanin, Evropën, Egjiptin, Rusinë, Indinë, Kinën, Japoninë dhe SHBA-në.
Në Shqipëri ndodhet Selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Sipas të dhënave të “Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 në Shqipëri”, publikuar në qershor 2024 nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), në Shqipëri janë deklaruar bektashi 115.644 banorë të vendit, ku rezulton se popullsia banuese në vend është mbi 2.4 milionë banorë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama më 21 shtator deklaroi për një media të huaj se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për një entitet në Tiranë, që do të quhet “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”.