May 8, 2024
Maqedoni

Aziri: Maksimi dhe BDI i poshtëruan shqiptarët e Kumanovës

Deputeti i Aleancës për Shqiptarër, Elmi Aziri ka reaguar ndaj himnit njëetnik të promovuar nga Komuna e Kumanovës.
Aziri në reagimin e tij theksoi se, “promovimi i një himni njëetnik me një qasje dhe njëmendësi egocentriste të kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski është diskriminues dhe kundër realitetit në të cilin sot jetojmë”.

“Kryetari i komunës nuk guxon të jetë pjesë e aventurave dhe mendësive të tilla që anashkalojnë frymën multietnike dhe multikulturalizmin, sidomos të shqiptarëve si etniteti i dytë në këtë komunë dhe ku gjuha shqipe është zyrtare.

Por, përgjegjëse dhe bashkëfajtore të barabartë në këtë rast është BDI, pasi që pikërisht kjo parti 20 viteve është pjesë e bashkëqeverisjeve në këtë komunë, e që ka zero të arritura.

Andaj apeloj që ndërpriten avazet e tilla përjashtuese, të sqarohet kreu i komunës dhe të tërheq projektet e tilla, që krijuan pakënaqësi të madhe në mesin e qytetarëve tanë.

Ju garantoj se ne si ASH fuqishëm do të angazhohemi për eliminimin e këtij poltronizmi dhe do të jemi kundër interesave të ngushta në dëm të qytetarëve tanë. Besojmë fuqishëm se ky poshtërim të marr fund në zgjedhjet e ardhshme lokale”, u shpreh Aziri.