Aziri: ASH do t’i rikthehet shumicës absolute të anëtarëve, të rreshtuar pas Ziadin Selës
Deputeti Elmi Aziri, ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim lëndën për Aleancën për Shqiptarët.
“Duam të njoftojmë opinionin se vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit për kontestin gjyqësor rreth Aleancës për Shqiptarët, ka rikthyer lëndën për rigjykim në Gjykatën Themelore në Tetovë. Ky vendim nuk nënkupton se partia i është dhënë palës tjetër, por për këtë duhet të vendosë Gjykata Themelore në Tetovë.
Duam të rikujtojmë poashtu se vendimi i Gjykatës së Apelit është sjellë pas një stërzgjatje dhe një sërë prolongimesh dhe pas deklaratave të shumta të ish bashkëpartiakëve tanë se citoj, me ndryshimin e Qeverisë do të ndryshojë edhe vendimi në Apel.
Sidoqoftë, besojmë fuqishëm se në rigjykim do të vërtetohet vendimi i parë dhe Aleanca për Shqiptarët do tu rikthehet shumicës absolute të anëtarëve të saj, të cilët janë reshtuar pas Ziadin Selës, pas themeluesve dhe drejtuesve legjitim të subjektit, të cilët u rikonfirmuan në Kongresin e vetëm legjitim dhe këtë e kemi dëshmuar me të gjitha procedurat ligjore dhe statutare, dokumentacionin e nevojshëm dhe nënshkrimet e delegatëve legal.
Çdo deklaratë tjetër, triunfalizëm i parakohshëm dhe shtrembërim i së vërtetës, ka për qëllim të shkaktojë huti në opinion dhe defokusim nga problemet reale, nga skandalet dhe skandalet e njëpasnjëshme të kësaj Qeverie monoetnike. Arben Taravari duhet të jep përgjegjësi për lidhjet me Dushko Pavlovskin, tenderat e fituara dhe lejet për ndërtim, si dhe kuorumin që deputetët e tyre siguruan për Ligjin për branitella”, tha Aziri.