May 17, 2024
Rajon - Botë

Avokati shqiptar në New York, kandidat i Partisë Republikane për Këshillin Bashkiak

Avokat Aleksander Mici kandidat për Këshillin Bashkiak të New Yorkut, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, kandidimin e tij, platformën politike, zonën elektorale, formim profesional dhe ndihmën në komunitetin shqiptar. Me Aleksander Micin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol Paja.

NJË SHQIPTAR QË SYNON KËSHILLIN BASHKIAK TË NEW YORKUT

Unë kandidoj për Këshillin e Qytetit në Distriktin 13-të në zonën e Pelham Parkway, Morris Park, Pelham Bay, Throgs Neck Pelham Gardens Allerton, Williamsbridge dhe City Island. Në këtë zonë zgjedhore votuesit shqiptarë përbëjnë një numër të rëndësishëm në këtë distrikt por përfaqësimi i komunitetit tonë ka qenë shumë i zbehtë në zgjedhjet e shkuara. Pjesëmarrja e votuesve dhe mbi të gjitha e komunitetit shqiptar në masë në këto votime do të siguronte një fitore të sigurtë për kandidaturën time. 11,000 vota janë të mjaftueshme për fitore në këtë garë. Për momentin në fushatën elektorale po zhvillohen garat në partitë politike nga ana e demokratëve por gjasat janë që në zgjedhjet e përgjithshme përfundimtare unë të përballem me Marjorie Velazquez. Unë nuk kam garë brenda partisë time, kjo më favorizon dhe më motivon për të punuar me elektoratin dhe për tu fokusuar në fushatë si kandidaturë e vetme partiake në kampin Republikan. Ky është një besim i madh nga partia që unë përfaqësoj. Sigurisht është një vlerësim edhe për komunitetin shqiptar. Komuniteti ynë ka rastin të mbështesë për herë të parë një kandidat të mirëfilltë me eksperiencën e duhur, me integritet moral, qytetar e profesional dhe tejet i kualifikuar që ta përfaqësojë atë denjësisht dhe shqiptarët duhet ta marrin më me seriozitet pjesëmarrjen në politikë sepse është e vetmja mënyrë për të kërkuar të drejtat tona si komunitet. Fuqia e votës është fuqi përfaqësuese. Pjesëmarrja e gjërë në votime na faktorizon si komunitet. Unë pres shumë nga bashkëkombasit e mi. Historikisht, kur shqiptarët kanë qenë të bashkuar, kanë bërë punë të mëdha dhe kanë arritur rezultate historike. Ky është një moment i artë për ne si komunitet. Unë kam bindjen dhe kam shpresë të plotë se edhe këtë herë shqiptarët do të hedhin një hap të madh në suksesin e përfaqësimit të tyre në Këshillin e Bashkisë së New Yorkut.

RRUGËTIMI POLITIK I ALEKSANDER MICIT NISI NË SHESHIN 2 PRILLI NË SHKODËR

Veprimtaria ime politike nisi në një moshë shumë të re. Kontributi dhe sakrifica ime për democraci fillon në vitin e largët 1991, me daten 2 Prill në qytetin e lindjes në Shkodër. Në një kohë kur ende diktatura nuk ishte larguar, frika e Sigurimit të Shtetit dhe dhunës së diktaturës ishte instaluar kudo në qytet. Unë me bashkëmoshataret e mi të shkollës Jordan Misja ishim të parët që morëm guximin të sfidonim regjimin e atëhershëm diktatorial, duke organizuar dhe rrezikuar seriozisht jeten në demonstraten e 2 Prillit të Shkodrës. Pas nesh erdhi i gjithë qyteti. Ishte një moment guximi dhe lirie. Të sfidoje diktaturën donte një guxim të çmendur në atë kohë. Ne besuam te liria, luftuam për liri dhe e gjetëm lirinë.

LARGIMI NGA SHQIPËRIA ME ANIJEN VLORA

Në Gusht të vitit 1991, bashkë me 30 mijë shqiptarë të tjerë, morëm rrugën për në Itali nga porti i Durrësit, duke imbarkuar në anijën famëkeqe Vlora. Vuajtjet që kaluam ishin të pa imagjinueshme. 24 orë pa ujë dhe 4 ditë pa asnjë kafshatë buke. Kemi parë njerëz duke humbur gjymtyrët nga vinçat e anijes. Kemi parë bandat kriminale duke hedhur njerëz në mes të detit Adriatik sepse nuk dorëzonin paratë që kishin në xhepa. Vrasje dhe therje, grabitje të të gjithë njerëzve që ishin aty. Nëpërmjet disa manovrave patëm rastin të largoheshim nga stadiumi i tmerrshëm i Barit dhe filluam punë nga më të vështirat, si në bujqësi, ndërtim, shërbime komunitare etj, me qëllim që të kishim mundësi që të punonim për të siguruar minimumin jetik. Ishin ditë shumë të vështira mbijetese për të gjithë ne. Fakti që kishim ikur nga diktatura na lehtësonte në shpirt. Pas njëmbëdhjetë muajsh qëndrimi në Itali, në Qershor të vitit 1992 fituam të drejten të vinim në Amerikë.

ARDHJA NË AMERIKË

Në moshën 16 vjeçare sapo mbërrita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fillova punë në turnin e natës si pastrues supermarkatash dhe në mëngjes shkoja në shkollen e mesme. Fillimi ishte jashtëzakonisht sfilitës pasi pa ditur asnjë fjalë të vetme anglisht, u desh shumë sakrificë që të arrija nivelin e bashkëmoshatarëve në shkollë dhe pas një pune kërkuese e mbarova shkollën e mesme me nota të shkëlqyera. Në vitin 1996 fitova të drejtën për të studiuar në Fordham University dhe vendosa të fokusohem në dy degë Filozofi dhe Komunikim. Duke vazhduar më tej studimet e mia, hyra në Fordham University School of Law për të studiuar Juridik dhe me të mbaruar aty, fillova të punoj si avokat për Bashkinë e New York-ut. Pas një eksperience të gjatë dhe shumë formuese, vendosa të hap zyrën time të avokatisë ku vazhdoj dhe sot të punoj e ti përkushtohem familjes e komunitetit tim shqiptar.

NJË ZË AKTIV DHE VEPRIMTAR NË NDIHMË TË BASHKËATDHETARËVE

Që në vitin e parë që erdha në Amerikë dhe deri më sot, kam ndihmuar me dhjetëra njerëz në mënyrë vullnetare, sidomos ata që kishin probleme me çështje emigracioni, strehimi ose që kërkonin të hynin në shkolla dhe nuk dinin rrugët, hapat, procedurat apo njerëz që kishin mundësi të pakta ekonomike dhe kërkonin asistencë nga shteti, apo thjeshtë kishin nevojë për ti mësuar vendet dhe përdorja mjetet e mia e infrastrukturën time për tu ardhur në ndihmë bashkëkombasve të mi. Ndihma ndaj komunitetit tim është një ndër krenaritë dhe lumturitë e mia më të mëdha. Nuk doja që askush të kalonte në hapat e vuajtjeve të mia të fillimit. Kushdo që më ka kërkuar ndihmë i kam dhënë maksimumin tim pa asnjë kompensim sepse kam pasur dëshirë gjithnjë që të jap kontribut sidomos për komunitetin tim.

NGA AVOKATIA TE FILMI

Perveç studimeve akademike, kam mbaruar edhe një konservator privat aktrimi i cili më dha mundësinë të merrja pjesë në disa TV show me famë botërore si: “The Blacklist”, ‟Person of Interest”, ‟Elementary”, ‟White Collar”, etj dhe një film të Hollywood me titullin “Dead Man Down”. Gjithashtu jam “Black Belt” i gradës së tretë dhe instruktor në Tae Kwon Do, kam marrë vend të dytë në Gorvernors Cup dhe New York State Championship. Në skenën politike dhe angazhimin politik e qytetar, është e dyta herë që kandidoj për post politik, një herë si New York State Senator dhe tani si anëtar i Këshillit Bashkiak për qytetin e New Yorkut.

PLATFORMA E KANDIDIMIT POLITIK PËR KËSHILLIN E BASHKISË NEW YORK

Platforma ime e kandidimit është një platformë konservative ku si parim kryesor është limitimi i rolit të qeverisë në jetën e njerëzve, ku qeveria duhet të jetë si arbiter dhe jo si xhandar. Lëvizjet sociale të kohëve të fundit kanë nxjerrë në pah një luftë të re neo marxiste kundër tregut të lirë. Kjo luftë e rreme që po bëhet nuk është gjë tjetër veçse një revolucion si ai i tetorit në Rusi i kamufluar në emër të drejtësisë raciale për të instaluar sërish sistemin socialist. Dhe kjo intrige e radhës e Marxistave të rinj për të uzurpuar pushtetin vjen e paraqitur si një lëvizje benine që kërkon të përmirësojë jetën e njerëzve por në fakt ka si qëllim final instalimin e diktaturës së re. Kjo po bëhet në një mënyrë gjeniale nga e majta ekstreme Amerikane duke prezantuar disa teori të reja siç është ajo e “critical race theory” dhe “cancel culture” etj, ku po tentohet të fshihet kultura 300 vjeçare e demokracisë më të avancuar në botë, duke deklaruar se historia e kësaj perandorie është ajo prej racisteje dhe shfrytëzimit të njeriut me ngjyrë. Kjo po bëhet nëpërmjet përpjekjeve për të indoktrinuar brezin e ri me falsitete marxiste e raciale. Lufta ime politike, ndonëse për Anëtar i Këshillit Bashkiak, fokusohet tek ky fenomen. Për mua çështjet lokale me të cilat përballet një politikan i këtij niveli janë të rëndësishme por jo aq sa lufta ideologjike për të cilën sapo përshkrova. Ky eshtë thelbi i fushates time. Kjo është platforma ime fituese. Në krahasim me fushatën e parë politike, zhvillimi im politik ka qenë më tepër paralel sesa vertikal. Gjithmonë kam tentuar të kem një këndvështrim thelbësor më tepër se sa një qasje ndaj zgjidhjes së problemeve të ditës. Bandat e motoçiklistëve që terrorizojnë lagjen duhen ndaluar por duhet shikuar pse ky fenomen ka lindur jo vetëm si ta zhdukim etj, shembuj që janë pjesë e jetës së përditshme të zonës ku jetoj dhe po përpiqem ta përfaqësoj. Kandidatura ime fokusohet pikërisht në këto pikëpamje filozofiko politike. Zgjidhja e gjithë këtyre ndodhive gjendet tek një shqyrtim i thellë bazuar në sensin komun por edhe në një kerkim të thellë intelektual për të zbuluar embrionin.