Maqedoni

Avokati i Popullit, kritika për gjendjen në burgje

Trajtimi i të burgosurve të varur nga lëndët narkotike nëpër burgjet në vend është shqetësuese dhe në gjendje alarmante. Këtë e konstaton raporti vjetor i Avokatit të Popullit në të cilin thuhet se në burgjet në vend nuk ka personel adekuat mjekësor, të burgosurve të varur nga narkotikët nuk u jepet terapi adekuate gjë që ndikon shpesh herë atë të tentojnë vetëvrasjen. Më shqetësuese është situata në Burgun e Kumanovës.

“Ky burg nuk disponon me mjek. Ka një mjek i cili dy herë në javë i viziton dhe një teknik medicinal i cili shpesh herë i tejkalon edhe kompetencat e tij duke ju shkruar receta dhe doza të cilat dallojnë nga tretmani që ka përcaktuar mjeku adekuat”- deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Sipas raportit, gjendje e vështirë paraqitet edhe në burgun e Idrizovës, ku 1/3 e të burgosurve janë të varur nga lëndët narkotike. Ambulanca në kuadër të këtij burgu ka vetëm një mjek i cili nuk është i specializuar që të merret me pacientë, përdorues të lëndëve narkotike. Problem tjetër theksohet edhe mungesa e medikamenteve të mjaftueshme metadonit për t’i trajtuar këto persona.

“Ka edhe situata edhe tjera, siç është futja jolegale e drogave të ndryshme, pastaj problemet që prodhon ajo”- pohoi Naser Zyberi, Avokat i Popullit.

Zyberi tha se për këtë situatë është alarmuar edhe Ministria e Shëndetësisë por sipas tij, deri tani nuk është ndërmarrë asgjë. Gjatë vitit 2020 Avokati i popullit ka kryer 25 vizita të paparalajmëruar, prej të cilave 10 në institucionet ndëshkuese-përmirësuese, 9 nëpër stacione policore dhe 6 nëpër qendrat e azilantëve. Raporti detekton edhe probleme në stacionet policore ku mungon kuadri për t’i informuar të arrestuarit, sidomos fëmijët, për të drejtat e tyre dhe për të kërkuar avokat për mbrojtje.