Avioni rus përplaset me dronin amerikan mbi Detin e Zi
Një avion luftarak rus është përplasur me një dron vëzhgues pa pilot të Shteteve të Bashkuara mbi Detin e Zi, tha ushtria amerikane.
SHBA-ja tha se droni po kryente një operacion rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur dy avionë luftarakë rusë tentuan që ta pengonin, tha komanda evropiane e SHBA-së.
“Droni ynë i llojit MQ-9 ishte duke kryer një operacion rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur u pengua dhe u godit nga avioni rus, duke shkaktuar në rrëzimin dhe shkatërrimin e plotë të dronit MQ-9”, tha gjenerali i forcave ajrore amerikane, James Hecker.
Ushtria amerikane tha se “ky ishte një veprim joprofesional dhe i pasigurt i rusëve”.
Hecker tha se në incident u përfshin dy avionë rusë të llojit Su-27.
Një prej avionëve luftarakë rus goditi helikën e dronit MQ-9, shtoi Hecker.
Incidenti ka ndodhur në orën 07:03 të së martën dhe ka detyruar ushtrinë amerikane që ta rrëzojë dronin e saj “në ujërat ndërkombëtare”.
Incidenti ka ndodhur në orën 07:03 të së martën dhe ka detyruar ushtrinë amerikane që ta rrëzojë dronin e saj “në ujërat ndërkombëtare”.
Hecker tha se avionët e SHBA-së dhe të aleatëve “do të vazhdojnë të operojnë në hapësirën ndërkombëtare” dhe i bëri thirrje rusëve “që të sillen në mënyrë të sigurt dhe profesionale”.
Ky incident pason disa veprime të rrezikshme të kryera nga pilotët rusë kur janë takuar me avionët e SHBA-së dhe të aleatëve në hapësirën ndërkombëtare, përfshirë edhe mbi Detin e Zi, u tha në deklaratën e ushtrisë amerikane.
Forcat amerikane në mënyrë rutinore kryejnë fluturime në mbarë Evropën, mbi territore sovrane dhe përmes hapësirës ndërkombëtare, në koordinim me shtetet nikoqire dhe me ligjet ndërkombëtare, u tha në deklaratë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se autoritetet amerikane do t’ua bëjnë të ditura zyrtarëve rusë shqetësimet e Uashingtonit lidhur me dronin.
Kirby po ashtu tha se droni nuk paraqiste asnjë rrezik dhe theksoi se ai po operonte në hapësirën ndërkombëtare.
Komandanti i lartë i NATO-s është informuar nga aleatët lidhur me incidentin mbi Detin e Zi.
“Gjenerali Christopher Cavoli është informuar sot nga aleatët e NATO-s lidhur me incidentin”, tha një zyrtar i aleancës perëndimore ushtarake.