May 2, 2024
Rajon - Botë

Autoritetet në Gaza: 70 për qind e popullatës është “zhvendosur me forcë” nga sulmet izraelite

Autoritetet në Gaza njoftuan se 70 për qind e banorëve të Gazës janë “zhvendosur me forcë” nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite, raporton Anadolu.

Sipas shifrave të fundit, popullsia e Gazës vlerësohet në 2,3 milionë.

Në një deklaratë, Zyra e Mediave e Qeverisë në Gaza tha: “50 për qind e njësive të shtëpive në gjithë Gazën u dëmtuan nga sulmet izraelite dhe 10 për qind e njësive të shtëpive ose u shkatërruan plotësisht, ose u bënë të pabanueshme”.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se gjysma e spitaleve dhe 62 për qind e qendrave të kujdesit shëndetësor në Gaza janë jashtë shërbimit.

Deklarata vuri në dukje se ushtria izraelite ka hedhur rreth 30 mijë tonë eksploziv në Gaza që nga 7 tetori.

Izraeli ka nisur sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Të paktën 10.022 palestinezë, duke përfshirë 4.104 fëmijë dhe 2.641 gra, janë vrarë në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës. Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është pothuajse 1.600.