Maqedoni

ASH: Nxënës pa libra, MASH pa strategji

Arianit Reka, foto: Printscreen nga Nistori
Jemi në prag të vitit 2023 dhe në këtë vend ende flitet për reforma, por rezultati nuk duket në horizont. Dhe më keq, për çdo ditë dalin në sipërfaqe mangësitë dhe dështimet. Kështu ka reaguar Aleanca për Shqiptarët (ASh) sot në lidhje me arsimin në vend duke e quajtur atë në gjendje kaotike, transmeton Portalb.mk.

“Në asnjë prej librave që përdorin nxënësit tanë, asnjëri prej autorëve të parë nuk është shqiptar. Paramendoni, 1/3 e popullatës me universitet shtetëror, me dy fakultete pedagogjike shtetërore dhe me ministra të arsimit shqiptar gati 20 vite, në asnjë libër të botuar nuk kemi autor shqiptar! Jo që s’kemi akademikë të denjë për të qenë autorë, por ju i demotivuar ata”, deklaroi Arianit Reka, departamenti për arsim në ASh.

Autoritetet sipas Ash-së janë cinike me shpërndarjen e mollëve, pasi nxënësit nuk kanë libra për gati një gjysmë-vjetor edhe ato libra që i kanë gjysma janë të dëmtuara.

“Krimi dhe korrupsioni vonuan vendin 20 vite për t’u integruar. Edhe arsimi i mesëm është i lënë anësh. Vitet e katërta mësojnë ende me libra në gjuhën maqedonase apo nuk kanë fare libra. Të mos flasim për mungesën e hapësirave laboratorike, apo për nxitjen e fëmijëve të orientohen në drejtimet deficitare”, deklaroi Reka.

Nga atje thonë se politika duhet të qëndron larg universiteteve, të garantohet autonomia, por njëkohësisht udhëheqësitë e universiteteve të zbatojnë në përpikmëri ligjin për arsim të lartë.

“Sa ministra shqiptarë duhet të kalojnë këtë dikaster që të vijmë në përfundim se gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur? Programi për Vlerësim të Nxënësve – PISA jep të dhëna të tmerrshme dhe këto janë si rezultat i politikave të kaluara 20 vjeçare. Prandaj, Aleanca për Shqiptarët propozon krijimin e një strategjie të re 30 vjeçare për arsimin dhe shkencën. Propozojmë një nismë që do të mbledh tërë spektrin politik opozitar e qeveritar, me përfaqësues dhe ekspertë të çdo partie politike, akademikët dhe profesionistët, që njëherë e përgjithmonë të sjellim një strategji të përbashkët dhe të pranuar nga të gjithë pa përjashtime”, tha Reka.

Përndryshe, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në një paraqitje të ftuar në Televizionin 24 deklaroi se në procesin e rishikimit të tekstit të Historisë dhe Shoqërisë do të përfshihemi të gjithë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe nëse vërejtjet dhe gabimet kalojnë më shumë se 30 për qind, atëherë ai do të tërhiqet nga përdorimi.