ASH: Interpelanca e opozitës teatër komik, procedura për kryeprokurorin e ri tanimë ka filluar
Akuzat e opozitës se ASh po mbron Prokurorin Publik janë të pabaza dhe dëshmojnë vetëm se sa të painformuar janë edhe për procedurat edhe për rastin në fjalë. Me veprimet e fundit opozita po bën teatër komik duke dorëzuar interpelancë për një kryeprokuror të cilit tanimë i skadon mandati, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka dërguar informacion në Qeveri me çka zyrtarisht ka filluar procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri.
Për informim të opinionit, në vijim ju përcjellim procedurën dhe afatet për zgjedhjen e Prokurorit Publik sipas dispozitave ligjore të cilat duhet të respektohen:
Procedura për emërimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut është e rregulluar në nenin 64 të Ligjit për prokurorinë publike. Neni 63 paragrafi 1 i këtij ligji përcakton se Prokurorin Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e emëron Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për një periudhë prej gjashtë vjetësh me të drejtën për riemërimit.
Procedura për emërimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut fillon me shpalljen e emërimit. Konkretisht, në nenin 64 paragrafi 1 parashikohet që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, shpall emërimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe në së paku dy gazeta ditore nga të cilat njëra nga gazetat që botohet në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve që flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, më së voni dy muaj para përfundimit të mandatit ose menjëherë pas zbrazjes së vendit. Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i obliguar ta informojë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për skadimin e mandatit më së voni në afat prej tre muajve para skadimit të tij.
Afati për dorëzimin e aplikacioneve është 15 ditë nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Në paragrafin 3 është paraparë që Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dorëzon mendim të arsyetuar pozitiv ose negativ për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs të cilët i plotësojnë kushtet në pajtim me ligjin.
Paragrafi 4 përcakton se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i dorëzon Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut propozim për emërimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga kandidatët e paraqitur për të cilët Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka dhënë mendim pozitiv. Për kandidatin që do ta propozojë Qeveria për Prokuror Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndaj propozimit dorëzohet edhe mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Nëse për shkaqe të arsyeshme Këshilli i Prokurorëve Publik, nuk i dorëzon mendim Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në afatin nga paragrafi (3) i këtij neni, afati nga paragrafi (3) i këtij neni vazhdohet edhe për 15 ditë të tjera. Nëse edhe brenda këtij afati, Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk dorëzon mendim, konsiderohet se mendimi është pozitiv.
Gjithashtu, nëse Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk jep mendim pozitiv për asnjërin nga kandidatët e paraqitur, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të vërtetojë propozim për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do t’i propozojë Kuvendit që ta përsërisë shpalljen nga paragrafi (1) i këtij neni.
Sipas të mësipërmes, ndërsa në bazë të nenit 64 të Ligjit për prokurorinë publike, është e nevojshme që pas marrjes së njoftimit nga Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut për skadimin e mandatit të tij, Qeveria e Republikës e Maqedonisë së Veriut t`i dorëzojë Kuvendit propozim për shpalljen e emërimit të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
– Aleanca për Shqiptarët –