May 12, 2024
Maqedoni

“Arsimimi mediatik në hapësirat digjitale”, fillon fushata kundër lajmeve të rrejshme

“Gisht i shpejtë, lajme të rreme”, është motoja e fushatës së edicionit të pestë të fushatës kundër lajmeve të rrejshme. Dhjetë panele diskutimesh, debate online, ekspozita, ditë të hapura në media, shkolla studentore dhe sesione publike do të organizohen nga anëtarët e Rrjetit në kuadër të kësaj fushate. Ngjarjet mund të ndiqen drejtpërdrejt ose përmes rrjeteve sociale në Facebook, Instagram, Twitter dhe Youtube. Fushata është mbështetur nga shumë media, përfshirë këtu edhe Televizionin SHENJA.

Drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Zoran Trajçevski, tha se sivjet Ditët e edukimit mediatik i kushtohen temës “Arsimimi mediatik në hapësirat digjitale”, përmes së cilës i bashkohet edhe vendi ynë, ndërkaq,  i bashkohet edhe  shënimit të ngjarjes globale për edukim mediatik.

ZORAN TRAJÇEVSKI, DREJTOR I AGJENCISË PËR SHËRBIME MEDIATIKE AUDIO DHE AUDIVIZUELE

“Ditët e edukimit mediatik të këtij viti do të kujtojnë përsëri shumë gjëra të rëndësishme, duke përfshirë ngritjen e vetëdijes se sa i rëndësishëm është edukimi mediatik, si dhe se të njëjtat rregulla profesionale duhet të zbatohen në gazetari si në hapësirën offline ashtu edhe online. Në ditët në vijim do të rikujtojmë vazhdimisht dhe me këmbëngulje se atë që nuk e bëjmë në realitet, nuk duhet ta bëjmë as në realitetin virtual”. Gjatë hapjes, Ditët e edukimit mediatik shfaqën një dokumentar për pesë vitet e Ditëve të edukimit mediatik”

Në hapjen e sotme u mbajt paneli “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit”, organizuar nga Fondacioni Metamorfosis në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformimit në Ballkanin Perëndimor” i mbështetur nga Mbretëria e Holandës. Dita e parë përmban gjithashtu një panel me temë “Gjithmonë të lidhur: Ndikimi i botës digjitale te fëmijët dhe të rinjtë” organizuar nga IMM dhe IREK si pjesë e Projektit të USAID-it për Edukim mediatik “Të rinjtë Mendojnë”.

Fondacioni Metamorfozis dhe Qendra Presidenciale për Edukim Politik në kuadër të Ditëve të edukimit mediatik nga 27 deri më 29 tetor në Ohër organizojnë trajnimin “Ndërtimi i përgjegjësisë sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformatave”. Përndryshe, ky edicion i cili ka filluar sot, do të zgjasë deri më 31 tetor.