Arrihet armëpushimi i parë mes Rusisë dhe Ukrainës
Bombardime të shumta i kanë mbajtur zgjuar gjatë gjithë natës ukrainasit në ditën e tetë të pushtimit rus. Mbi një milion njerëz janë larguar nga vendi. Qyteti i madh i Khersonit është marrë nga rusët. Ukraina pretendon se janë vrarë mbi 9000 ushtarë rusë. Çdo zhvillim i sotëm që lidhet me Ukrainën mund ta gjeni këtu
18:41 – Ukraina e Rusia pajtohen për armëpushim gjatë evakuimit të civilëve
Ukraina thotë se ka arritur ‘mirëkuptim të përbashkët’ me Rusinë për evakuimin e civilëve.
Pas bisedimeve të paqes midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas të enjten, të cilat zgjatën për rreth 4 orë, të dy palët kanë rënë dakord të ofrojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve.
Një zyrtar ukrainas ka thënë se marrëveshja përfshinte një armëpushim të mundshëm të përkohshëm gjatë evakuimeve, raporton Sky News.
Pala ukrainase ka thënë se nuk mori rezultatet që donte – pasi kishte hyrë në bisedime duke shpresuar për një armëpushim të plotë dhe tërheqje ruse – por kjo sipas saj mund të sinjalizojë një hap pozitiv.
Zyrtarët kanë rënë dakord të mbajnë një rund të tretë bisedimesh së shpejti.
18:35 – Vritet në Ukrainë gjeneral-majori rus, Andrei Sukhovetsky
Gjeneralmajori rus, Andrei Sukhovetsky, që ishte gjenerali komandues i Divizionit të 7-të Ajror Rus, u vra në fillim të kësaj jave në Ukrainë.
Vdekja e tij u konfirmua nga një organizatë lokale e oficerëve në rajonin Krasnodar në Rusinë jugore.
18:27 – SHBA-ja: Rusët të gatshëm për të goditur qëllimisht infrastrukturën civile
Forcat ruse kanë treguar një gatishmëri për të goditur qëllimisht infrastrukturën civile, ka thënë të enjten para gazetarëve një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.
Zyrtari tha se SHBA-ja po shihte rusët të goditin infrastrukturën civile në Ukrainë, por ishte e paqartë nëse ishte e qëllimshme apo jo, raporton CNN.
“Një nga gjërat që ne me siguri i kemi parë të bëjnë në vende si Kievi dhe Kharkiv është goditja e infrastrukturës qeveritare me bombardime në rritje, siç e kemi parë gjatë dy ditëve të fundit, pasi ata janë afruar disi gjeografikisht me disa prej tyre. Në qendrat e populluara, bombardimet janë shtuar”, tha zyrtari. “Është e qartë se ata po përpiqen të dobësojnë strukturat qeverisëse që banojnë në këto qendra popullsie,” shtoi ai.
Zyrtarë të SHBA-së dhe të tjerë perëndimorë i kanë thënë CNN-it se strategjia e Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës po zhvendoset drejt një “asgjësimi të ngadaltë” të ushtrisë ukrainase, duke paralajmëruar se Rusia mund të fokusohet në një bombardim të përgjakshëm dhe vdekjeprurës të qyteteve dhe objektivave civile.
18:08 – Ushtria ukrainase beson se forcat bjelloruse kanë marrë urdhër të kalojnë kufirin
Shtabi Qendror i Ushtrisë së Ukrainës, ka bërë të ditur se bazuar në informatat që ka, forcat bjelloruse kanë marrë urdhër të kalojnë kufirin dhe të futën në Ukrainë.
Sipas njoftimit të postuar në Facebook, në një zonë të pyllëzuar, pak përtej kufirit me Ukrainën janë vendosur 38 brigada të ushtrisë së Bjellorusisë, aleates së Rusisë në luftën që ka nisur më 24 shkurt.
Kliko KËTU për më shumë.
18:05 – Putin: Ukrainasit dhe rusët janë një popull, po luftojmë neo-nazistët
Putin thotë se rusët dhe ukrainasit janë ‘një popull’ ndërsa ai i lavdëron ushtarët rusë si ‘heronj të vërtetë’
17:58 – Shkon në rreth 250 numri i civilëve të vrarë në Ukrainë, prej tyre 17 fëmijë
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka përditësuar të dhënat e saj zyrtare të civilëve të vrarë që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë.
Sipas këtyre të dhënave, rreth 249 njerëz janë vrarë dhe 533 janë plagosur në total.
Rreth 17 nga të vrarët ishin fëmijë dhe 27 ishin gra, zbuloi numërimi i fundit.
Zyra e të Drejtave ka thënë se shifrat e saj janë një numër më i ulët në krahasim me numrin real, pasi përdor metodologji strikte dhe numëron vetëm viktima të konfirmuara.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas kanë thënë të mërkurën se 2,000 civilë ishin vrarë deri më tani.
17:46 – Zelensky i drejtohet NATO-s: Nëse s’mund t’i mbyllni qiejt, më jepni aeroplanë
Zelensky ka kërkuar nga NATO-ja që t’i dërgojë aeroplanë ushtarak.
17:38 – Zelensky kërkon takim me Putinin: Unë nuk kafshoj, nga çka frikësohesh?
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të takohet me të, duke e hedhur propozimin me sarkazëm.
“Uluni me mua për të negociuar, jo në 30 metra”, ka thënë Zelensky të enjten, me sa duket duke iu referuar fotove të fundit të Putinit të ulur në një skaj të një tavoline jashtëzakonisht të gjatë kur u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Unë nuk kafshoj. Nga çka frikësohesh?”, ka thënë Zelenskyy në një konferencë shtypi të enjten.
Zelenskyy ka shtuar se ishte e arsyeshme të kishte bisedime.
“Çdo fjalë është më e rëndësishme se të shtënat”, është shprehur ai.
Kërkesa e tij për takim me Putinin vjen në kohën kur palët ruse e ukrainase janë duke zhvilluar rundin e dytë të bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje.
17:33 – Rusia ka lëshuar më shumë se 480 raketa mbi Ukrainë deri më tani
Rusia ka lëshuar më shumë se 480 raketa mbi Ukrainë, që nga fillimi i pushtimit të këtij vendi, më 24 shkurt, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan i Mbrojtjes.
Luftimet në Ukrainë të enjten kanë hyrë në ditën e tetë, derisa qindra civilë kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmeve ruse.
17:28 – Kanadaja pa asnjë kufizim ndaj aplikimeve ukrainase për qëndrim të përkohshëm dhe të përhershëm
Kanadaja ka njoftuar të enjten se do të përshpejtojë aplikimet ukrainase për statusin e qëndrimit të përkohshëm dhe të përhershëm me qasje të plotë në programet e punës dhe studimit, si dhe aplikimet për bashkim familjar.
Për aplikimet ukrainase për qëndrim në këtë vend, Kanadaja ka njoftuar se nuk do të ketë asnjë kufi.
17:24 – Video që tregon shkatërrimin e infrastrukturës civile në Kiev
Në rrjetet sociale po dalin gjithnjë e më shumë video që tregojnë për shkatërrimin e infrastrukturës civile në kryeqendrën e Ukrainës, Kiev dhe më gjerë.
Kjo video e postuar në rrjetin social Telegram , tregon banesat në Borodyanka, vend në rajonin e Kievit.
Ushtria rusë ka ditë që ka nisur pushtimin e Ukrainës, por nuk ia ka dalë të marrë nën kontroll Kievin.
17:00 – Rusia paralajmëron se luftëtarët e huaj në Ukrainë do të përballen me pasoja
Rusia ka lëshuar një paralajmërim për të huajt që planifikojnë të luftojnë kundër forcave ruse në Ukrainë, duke thënë se ata do të përballen me procedura penale nëse kapen.
“Dua të theksoj zyrtarisht se të gjithë mercenarët e dërguar nga Perëndimi për t’i ndihmuar regjimit nacionalist të Kievit, nuk do të kenë të drejtë të statusit të të burgosurve të luftës”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, sipas agjencisë së lajmeve, Interfax.
Konashenkov ka shtuar se secili që po shqyrton mundësinë e përfshirjes duhet të mendojë “shtatë herë para se të niset” pasi Rusia do t’i mbajë “përgjegjës penalisht” nëse kapen.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për të huajt që t’i bashkohen luftës kundër Rusisë, duke iu garantuar hyrje të gjithë vullnetarëve nga jashtë.
Ai ka vlerësuar të enjten se legjioni me të huaj pritet të ketë rreth 16.000 luftëtarë.
Zelensky ka thënë se vullnetarët e parë veçse kanë arritur.
“Ata po vijnë të mbrojnë lirinë, jetën. Për ne, për të gjithë ne”.
16:34 – Shkon në 22 numri i të vdekurve nga sulmi në Chernihiv të Ukrainës
Ka shkuar në 22 numri i të vdekurve si pasojë e sulmit ajror të Rusisë që goditi dy shkolla dhe shtëpi private në rajonin Chernihiv të Ukrainës, ka bërë të ditur Shërbimi Emergjent i Ukrainës.
The Kyiv Independent ka raportuar se disa shkolla, çerdhe dhe një spital ishin afër.
Image
16:22 – Putini i ka thënë Macronit se situata në Ukrainë do të përkeqësohet
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka thënë homologut të tij francez, Emmanuel Macron se do t’i vazhdojë operacionet e tij ushtarake në Ukrainë, ka bërë të ditur për CNN një burim nga Pallati Elysee.
16:07 – Kanë nisur bisedimet mes delegacioneve ruse dhe ukrainase
Bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase kanë filluar në një vend të pazbuluar, në kufirin me Ukrainën.
Një videoklip i shkurtër tregoi delegacionin ukrainas duke hyrë në një sallë konferencash ku ishte ulur delegacioni rus. Të dy ekipet shtrënguan duart përpara se të uleshin për të filluar bisedimet e tyre.
Ky është raundi i dytë i bisedimeve.
Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak gjithashtu shkroi në Twitter se çështjet kryesore në agjendë janë armëpushimi i menjëhershëm dhe korridoret humanitare për evakuimin e civilëve nga fshatrat.