Arrestohet shoferja e “Land Rover” që u përplas me furgonin ku vdiqën 5 persona
Policia ka arrestuar 22-vjeçaren me iniciale R.Ç për aksidentin e djeshëm në Qafë-Muzinë, ku humbën 5 persona dhe u plagosën 4 të tjerë. Sipas uniformave blu, 22-vjeçarja drejtonte mjetin “Land Rover” që u përplas me një furgon, i cili përfundoi jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit humbën jetën drejtuesi i furgonit, shtetasi B. P, pasagjerët F. K, 77-vjeç, D.K, 72-vjeçe, T.F, 48-vjeçe dhe O. F., 53 vjeç. Dy viktimat e fundit janë shtetas ukrainas.
Nga pasagjerët e fugonit mësohet sa ka shpëtuar vetëm një vajzë, e cila aktualisht po merr trajtim spitalor. Ndërsa në fuoristradën me të cilën është përplasur furgoni ndodheshin tri gra që kanë marrë dëmtime të lehta, dy prej të cilave janë shtetase italiane.
Sipas INSTAT, në shtatë-mujorin e parë të vitit 2021, numri i të aksidentuarve në vendin tonë është 1.050 persona. Ndërsa numri i të vdekurve nga aksidentët rrugore për të njëjtën periudhë kohore është 118.