Arrestohet një 23 vjeçar, tentoi të përdhunojë dy vajza
Është arrestuar një 23-vjeçar nga Manastiri, i dyshuar për tentim dhunim ndaj dy vajzave. Prokuroria Themelore e Manastirit ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
“Ndaj tij ka nisur procedimi pasi në dy raste të ndara, më 9 shtator dhe 7 nëntor, ka sulmuar seksualisht dy vajza të reja dhe ka filluar t’i prekë ato. Në të dy rastet viktimat kanë arritur ta largojnë dhe të lirohen, kurse i dyshuari është larguar nga vendi i sulmit”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore Manastir.
Prokuroria thotë se për shkak se bëhet fjalë për vepër penale kundër lirisë dhe moralit seksual dhe se ka rrethana që tregojnë se i dyshuari do të përsëriste sulmet e tilla nëse do të qëndronte i lirë, prokurori publik kompetent ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit, transmeton Lideri.mk.
Sipas statistikave të policisë, vitin e kaluar janë arrestuar 125 autorë të 130 veprave penale në fushën e krimeve kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual.
Vitin e kaluar, shumica e rasteve të raportuara janë regjistruar në Shkup, 47 raste dhe 25 në Manastir, pasuar nga Shtipi me 17 raste. Sa i përket llojit, krimet më të shumta të kësaj nature janë “përdhunimi i fëmijës pa mbushur 15 vjeç”, gjithsej 34 raste, transmeton portali Lideri.mk.
Më pas janë “sulmet seksuale dhe përdhunimet”, me 33 krime të kryera nga 29 autorë. Në këto krime përfshihet edhe vepra e “ngacmimit seksual”, që e bën numrin e përgjithshëm të kallëzimeve në 21, dhe plotësimin e dëshirave seksuale përballë dikuj tjetër – 16 kallëzime.
Sipas statistikave të policisë, vitin e kaluar janë raportuar 41 raste më shumë se një vit më parë, 2022./Lideri