Arrestohen edhe dy persona për plaçkitjen e çantës me para në Kumanovë, nuk janë nga Maqedonia!
Dy persona, janë arrestuar fundjavën e kaluar lidhur me rastin e grabitjes kur një çantë me para është grabitur në Kumanovë.
Siç sqarojnë nga SPB-ja e Kumanovës, personat ishin shtetas të Kosovës, të cilët janë ndaluar nga rojet kufitare të vendkalimit kufitar “Bllacë”, transmeton Lideri.mk.
– Me datë 24.03.2024 në ora 21:30 në vendkalimin kufitar Bllacë në hyrje të vendit, zyrtarët policorë kanë ndaluar S.B.(32) dhe K.D.(26), të dy nga Kosova, pasi gjatë kontrollit të pasaportave dhe kontrollit operativ u konstatu se S.B. është në kërkim me kërkesë të SPB-së Kumanovë, dhe në lidhje me veprën penale “plaçkitje”, njofton MPB.
Ata i janë dorëzuar zyrtarëve policorë nga RSV Kumanovë për procedurë të mëtutjeshme.
Plaçkitja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së 15 marsit, kur një Range Rover fillimisht ka goditur Audi-n e një 63-vjeçari nga Kumanova, më pas kanë qëlluar me armë në drejtim të tij dhe kanë vjedhur një çantë me para. Pas vjedhjes i kanë vënë flakën automjetit me të cilin kanë ardhur dhe kanë ikur.
Më herët për të njëjtin rast janë paraburgosur edhe dy persona nga fshati Bukoviq i Shkupit./Lideri