BallinaMaqedoni

Anti-korrupsioni formon lëndë për udhëtimin e djalit të Mickoskit në SHBA

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka hapur rast pas informacioneve për udhëtimin e djalit të kryeministrit Hristijan Mickoski në Washington.

Kryetarja e KSHPK-së, Tatjana Dimitrovska, në një prononcim për AIM, thotë se rasti është formuar pas shkrimeve në media. Dimitrovska tha se tashmë janë drejtuar në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë dhe kanë kërkuar informacion se kush ka udhëtuar së bashku me kryeministrin në Washington, gjegjësisht të konfirmohet nëse djali i Mickoskit ka udhëtuar me të në kurriz të buxhetit dhe në çfarë cilësie, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ajo thotë se dokumentacioni është dërguar dhe afati për përgjigjen e institucioneve është 15 ditë.

LSDM opozitare akuzoi se djali i kryeministrit ka udhëtuar me të në SHBA dhe kërkon që të publikohen llogaritë private nga udhëtimi. VMRO-DPMNE u përgjigj se djali i Mickoskit nuk ishte pjesë e delegacionit zyrtar dhe se të gjitha shpenzimet janë paguar privatisht nga familja e Mickoskit.

“Djali i Mickoskit nuk është pjesë e delegacionit zyrtar në samitin e NATO-s. Edhe pse kryetari Mickoski ka të drejtën e një anëtari shoqërues të delegacionit, udhëtimi i djalit të tij nuk i kushton asgjë shtetit, gjegjësisht të gjitha shpenzimet i mbulon privatisht familja e Mickoskit. Ndryshe nga koha kur kryeministri i LSDM-së Kovaçevski i sillte fëmijët si anëtarë të delegacionit zyrtar. Nëse delegacioni do të donte të fshihte diçka, sigurisht që nuk do të kishte asnjë foto të saj. Përkundrazi, gjithçka është transparente”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot përmes një komunikate i hodhi poshtë pretendimet e LSDM-së, e cila ka kërkuar nga kryeministri Hristijan Mickoski të publikojë llogaritë e harxhimeve për udhëtimin në SHBA.