Angellov: Zjarri në Saraj është nëntokësor, pasi shuhet, sërish ndizet
Stojançe Angellov, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza ka njoftuar se zjarri në Saraj mbetet problemi më i madh për momentin.
Siç sqaroi ai, edhe pse disa herë është shuajtur i njëjti, herë me helikopterë dhe herë me dorë, sërish ka shpërthyer zjarr. Dyshohet se zjarri është nëntokësor.
“Zjarri në komunën e Sarajit është specifik. Edhe pse ne disa herë e shuajmë, sërish shohim flakë zjarri”, tha Angellov në paraqitjen para mediave.
Sqaroi, se gjatë ditës së djeshme, zjarri është shuar edhe me dorë, por pasi kanë zbritur nga mali, sërish është parë tym.
“Janë lëshuar nga maja e malit, ka intervenuar në vendet ku ka shpërthyer zjarri dhe me dorë kanë shuar të gjitha pikat e zjarrta. Por pasi kemi kaluar poshtë, sërish kemi vërejtur tym”, sqaroi më tej ai.
Pikat e zjarrta janë vërejtur me helikopterë paraprakisht, por sërish nuk arrihet të detektohet vatra e zjarrit.
Për këtë, sot janë angazhuar edhe 30 pjesëtarë të Njësitit Special dhe ekspertë francezë.
“Kemi vendosur që sot të angazhohen 30 pjesëtarë të Njësitit special dhe ekspertë francezë. Do të analizojnë zjarrin nëntokësor dhe do t’i gjejmë këto pika të nxehta. Janë duke vepruar edhe dy helikopterë”, tha Angellov.