May 4, 2024
Kosovë

Angela Merkel e solli në pushtet Albin Kurtin

Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”, Michael Martens, pretendon se ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, do të publikojë në numrin e fundjavës të gazetës, një tekst, të cilin siç thotë ai, disa në Prishtinë nuk do ta pëleqjnë.

Martens ka shkruar të premten në llogarinë e tij në Twitter se sipas Cufajt, Gjermania është “sponsori kryesor” i Albin Kurtit dhe se ky shtet ka punuar shumë që ta vërë atë në pushtet në Kosovë (Kurti erdhi në pushtet në kohën kur kancelare ishte Angela Merkel-vërejtje jonë).

“Beqë Cufaj, ish-ambasador i Kosovës në Gjermani ka një tekst në numrin e radhës të ‘Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung’ (botimi i fundjavës) që nuk do t’u pëlqejë disave në Prishtinë, veçanërisht rekomandimet e tij se si duhet të sillet Berlini ndaj (kundër?) kryeministrit, Albin Kurti”, ka shkruar Martens.

Sipas tij, Cufaj shkruan se meqë Gjermania pati ndikim që Kurti të vinte në pushtet, ajo tani duhet ta përdorë ndikimin që ka tek ai.

“Sipas Beqë Cufajt, Gjermania është “sponsor kryesor” i Kurtit dhe ka punuar shumë për ta sjellë atë në pushtet, ndaj tani duhet të përdorë ndikimin e tij për të ushtruar presion ndaj tij. Me të vërtetë i interesuar të shoh se si do të funksiononte”, ka shtuar Martens.

KOHA ka kërkuar një konfirmim për këtë nga Cufaj dhe është në pritje të një përgjigjeje nga ai.