Kolumna

Amerika faktori i vetëm që mund t’u japë epilog proceseve në Ballkan

Ballkani Perëndimor ndodhet jashtë procesit integrues evropian. Kjo nënkupton se proceset politike, që rezultuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, akoma nuk janë mbyllur.
Evropa, përballë një Rusie të rikëndellur, është e pafuqishme për t’i mbyllur këto procese. Faktori i vetëm që mund t’u japë epilog proceseve në Ballkan, padyshim janë SHBA-të.
Me fitoren e Bidenit në SHBA sërish është kthyer vëmendja e politikës së jashtme amerikane për Ballkanin Perëndimor, ku shqiptarët ndodhen në epiqendër të kësaj vëmendje. Kjo mund të vërehet qartë edhe nga prania e madhe amerikane në manovrat ushtarake amerikano-shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë.
E tërë kjo, i ka shqetësuar tejmase qarqet e politikës pansllaviste ruso-serbe, të cilat e kanë intensifikuar presionin diplomatik, që kanë për qëllim dezorientimin e qeverisë së re të Albin Kurtit në Kosovë. Për fat të keq kësaj i ndihmon edhe opozita destruktive shqiptare e Kosovës, e cila në mënyrë të pavetëdijshme vihet në shërbim të qarqeve antishqiptare.
Në të vërtetë qarqet ruso-serbe e kanë të qartë se Kosovën e kanë humbur përgjithmonë, por duke i njohur pretendimet amerikane në hapësirat shqiptare, synojnë të ruajnë status-quo-në, për të mos humbur ndikimin e tyre në hapësirat tjera shqiptare: në Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.
Zgjerimi i ndikimit amerikan në Ballkanin Perëndimor është imperativ i politikës së jashtme amerikane në periudhën e ardhshme. Në këtë kontekst duhet parë edhe eliminimin e elementeve të korruptuara ndër shqiptarët, të cilët kanë dhënë sinjale se për shkak të interesave të ngushta (personale) mund të shndërrohen në pengesë të rritjes së ndikimit amerikan.
Meqenëse vëmendja amerikane sërish po rikthehet në Ballkan, shqiptarëve në përgjithësi, për shkak se jetojnë në më shumë shtete, u nevojitet bashkëpunim më i madh brendakombëtar, duke lënë mënjanë zënkat pozitë-opozitë, dhe duke akorduar orientimet politike me politikën e jashtme amerikane.
Prof. dr. Zeqirja REXHEPI