Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut: ShBA do ta vëzhgojë takimin në Ohër
Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler
Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta vëzhgojnë për së afërmi takimin e nesërm në Ohër.
Kjo përmes prezencës në këtë takim të Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili sot zhvilloi diskutime me liderët e shtetit të Kosovës, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Shtetet e Bashkuara fuqishëm e përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar do të jetë në Ohër, si vëzhgues i këtij procesi”, shkruan diplomatja amerikane në Twitter.
Sipas saj, të qenit nikoqir i këtij takimi të rëndësishëm e thekson ndikimin pozitiv të Maqedonisë Veriore në rajon.
“Roli i Maqedonisë Veriore si nikoqire e këtij takimi të rëndësishëm nënvizon udhëheqjen e saj pozitive në rajon”, shkroi tutje.
Kujtojmë se e nesërmja është rezervuar për takimin e radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim pritet të negociohet dakordimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel. /Reporteri.net/.