Maqedoni

Ambasadori i BE-së uroi Talat Xhaferin, ambasadorja amerikane ende jo!

Gjatë ditës së djeshme është vërejtur mungesa e diplomatëve në sallën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, siç është zakon kur zgjedhet kryeministër, kryeparlamentar, apo kur bëhet inaugurimi i presidentit të ri të vendit, kanë thënë për Zhurnal deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Në pjesën e rezervuar për diplomatët, ishin ulur gazetarët Berat Buzhala, Blendi Fevziu, Baton Haxhiu dhe Adriatik Kelmendi.

Ndërkohë, sot ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer ka uruar Talat Xhaferin me rastin e zgjedhjes së tij si Kryeministër. Geer urimin e bëri përmes rrjetit social X, ku ka shkruar se pret bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e re, drejt integrimit të vendit në BE.

Statusi i plotë: Urime kryeministrit Xhaferi për zgjedhjen e tij kryeministër. Mezi presim bashkëpunim të ngushtë me të dhe qeverinë e re në këtë moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Opinioniit vendor po i bën përshtypje se deri tani nuk ka asnjë informacion se postin e kryeministrit Xhaferit t’ia ketë uruar ambasada ose ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler. Vonesa, apo mungesa e plotë e këtij urimi në komentet e paraqitura në rrjetet sociale po ndërlidhet me kritikat që Xhaferi ia bëri ambasadorit holandez në Shkup, për “përzierje në punën e Këshillit Gjyqësor Republikan”. Vetëm një ditë pas këtyre kritikave të Xhaferit ndaj ambasadorit holandez, në punën e Këshillit Gjyqësor është “përzier” edhe ambasadorja amerikane, duke realizuar takim me kryetaren e KGJR-së, Vesna Dameva. Burimet tona qeveritare thonë se ditëve në vijim me siguri do të ketë takim zyrtar mes kryeministrit Talat Xhaferi dhe ambasadores Angela Ageler, por pajtohen se vonesa e urimit është “vërtetë një porosi shqetësuese”./Zhurnal