Ambasada e SHBA-ve deklarohet për dorëheqjen e kryeministrit Zaev
Ambasada e Shteteve të Bashkuara pret që të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut në fushat që janë me interes të përbashkët, thonë për TV21, nga Ambasada e SHBA-ve, në Maqedoninë e Veriut.
Në qëndrimin e tyre theksojnë se me vëmendje po ndjekin zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet lokale dhe deklaratën e kryeministrit Zaev për dorëheqje nga Qeveria.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara po ndjek zhvillimet e fundit pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke përfshirë edhe deklaratën e kryeministrit Zaev për dorëheqjen e tij.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Maqedoninë e Veriut si një partner të besueshëm dhe të vlerësuar në rajon dhe pret të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në fushat me interes të përbashkët, derisa vazhdon rrugën e progresit drejt integrimeve euroatlantike”, përfundojnë nga Ambasada e SHBA-ve për TV21.