Alternativa nesër vendos nëse do të bëhet pjesë e Qeverisë
Partia Alternativa nesër në ora 18:00 do të mbledhë Kryesinë Qendrore, e cila ishte paraparë për ditën e martë (23 nëntor), por u shty për shkak të tragjedisë në Bullgari ku jetën e humbën 44 persona nga Maqedonia e Veriut.
Anëtari dhe deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi në një deklaratë për MIA bëri të ditur se Kryesia Qendrore e partisë nesër duhet t’i japë orientim Kuvendit Qendror, organit më të lartë të partisë dhe do të vendos nëse do të bëhet pjesë e Qeverisë dhe e shumicës parlamentare apo do të mbeten pjesë e bllokur opozitar.
“Besoj se në një dialog do të përballemi me të gjitha argumentet “për” dhe “kundër” dhe se do të merret një vendim i duhur”, thotë Rexhepi.
Ndër të tjera, Rexhepi thekson se nëse Alternativa vendos të bëhet pjesë e Qeverisë, kusht duhet të jetë prioriteti i programit të partisë para pozitave të pushtetit.
Kujtojmë se kryetari i Alternativës, Afrim Gashi javën e kaluar u takua me kryeministrin Zaev, ku u zyrtarizua propozimi që Alternativa të jetë pjesë e koalicionit qeveritar, i cili do të rrisë edhe shumicën në Kuvend me katër deputetë.