May 14, 2024
Maqedoni

AlternAtivA mbështet protestën para ambasadës serbe në Shkup, fton për pjesëmarrje masive

Siç jemi të informuar publikisht, drejtuesi i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, ka bërë thirrje publike për një protestë të enjten (më 29 dhjetor) para Ambasadës së Republikës së Serbisë në Shkup për t’i dhënë mbështetje sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe për të protestuar për pretendimet territoriale që Serbia i shfaq në Veri të Kosovës.
Kjo protestë ka marë përkrahjen e partisë Alternativa të Afrim Gashit.
“Duke gjykuar se Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga rreth 120 shtete të botës, mes të cilave edhe nga SHBA-ja, shumica e vendeve të BE-së, si edhe nga Maqedonia e Veriut, pikërisht në frymë të vlerave perëndimore dhe duke iu kundërvënë agresionit serb mbi Kosovën, AlternAtivA ka vendosur ta mbështesë protestën e ftuar nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni”, njofton Alternativa, duke sqaruar mbështetjen e saj për protestën.

Me këtë rast, Alternativa u bën thirrje anëtarëve, aktivistëve e votuesve të saj, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë, që i preokupon kjo temë dhe që besojnë në të drejtën e lirisë së vetëvendosjes dhe sovranitetit, që t’i bashkohen kësaj proteste dhe në mënyrë paqësore ta shprehin indinjatën e tyre ndaj politikave ekspansioniste të Serbisë mbi Kosovën.
“Si komb dhe si shtet që duam të kemi paqe, qetësi dhe relacione të mira ndërfqinjësore me secilin shtet në Ballkan, nuk mund të heshtim para tendencave armiqësore në veriun e Kosovës, që u ngjasojnë skenave që Rusia para do kohe i krijonte në Ukrainën lindore.
Të mblidhemi të enjten (29.12.2022) në orën 13.00 para Ambasadës së Serbisë në Shkup dhe ta shprehim në mënyrë paqësore dhe dinjitoze qëndrimin tonë kundrejt prirjeve rusofilë të Serbisë mbi Kosovën”, thuhet në kumtesën e Alternativës.