Maqedoni

Alternativa Likovë: BDI bllokon rrugët në Komunën e Likovës mu në kohën kur vijnë mërgimtarët dhe në kohën e gazmendeve familjare

“Në Komunën e Likovës, njësoj si viteve të kaluara, autoritetet të BDI-së e vazhdojnë avazin e vjetër. Në vend që të organizojnë pritjen e mërgimtarëve, ata mu në kohën e verës, kur vijnë mërgimtarët për pushime në vendlindje, dhe mu në kohën e dasmave (gazmendeve familjare) ata fillojnë gjoja punime në ndonjë rrugë kryesore që i lidh fshatrat mes vete, gjë që qytetarëve të kësaj ane ua vështirëson lidhjen nga fshati në fshat si dhe drejt qytetit të Kumanovës dhe rrugës lokale për në Shkup.

Kështu edhe këtyre ditëve, përmes faqes zyrtare të Komunës së Likovës, njoftohen qytetarët e kësaj komune se nga 13 korrik deri më 1 gusht të këtij viti rruga regjionale Mateç-Ropalc-Nikushtak, për shkak të dinamikës së paraparë të punimeve në këtë rrugë, ajo do të bllokohet nga ora 06:00 deri orën 16:00. “Ky bllokim vlen nga data 1 korrik deri më 1 gusht”, njoftojnë në faqen zyrtare të Komunës.

Ndërkaq pikërisht për këtë rrugë kryetari aktual i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, gjatë fushatës në zgjedhjet lokale në vitin 2017, pat deklaruar se “Për shkak se jemi në fushatë parazgjedhore është lënë që të fillohet pas zgjedhjeve.”

Pra, projekti është vonuar për katër vite për ta shfrytëzuar pastaj para zgjedhjeve lokale të vitit 2021.

Punimet në rrugë nga Komuna e Likovës kanë ndodhur vite më parë edhe në fshatin Orizare në drejtim të fshatit Opajë, ku qytetarët detyroheshin të kalonin përmes fshatit Sllupcan në drejtim të Kumanovës, ndërsa dy vite më parë po në të njëjtën kohë, kur mërgimtarët gjendeshin në pushim dhe mu në valën e dasmave, Komuna kishte filluar asfaltimin e një rruge në fshatit Opajë, duke e bllokuar rrugën për qytetarët.

Ata, po ashtu qëllimisht, i kanë lënë edhe punët e tjera të zvarriten, sepse ashtu synojnë t’i përkthejnë në vota. Kështu, disa trotuare ose rrugica, që është dashur të përfundojnë vitin e kaluar, ata i kanë lënë për këtë vit, pra sa më afër zgjedhjeve, pavarësisht se qytetarët e Komunës së Likovës vazhdojnë ta vuajnë çdo ditë infrastrukturën e keqe, thonë nga Alternativa – Likovë.