AlternAtivA: Familjarët e Ali Ahmetit zaptojnë pozitat, shqiptarët detyrohen të shpërngulen
Në kohë kur qindra mijëra shqiptarë për çdo ditë detyrohen të braktisin vatanin dhe të shpërngulen drejt perëndimit, në mungesë të perspektivës ekonomike në vend, në kohën kur papunësia, thellimi i krizës ekonomike, shtrenjtimi i çmimeve dhe, në përgjithësi, cilësia e jetës po i detyron të rinjtë shqiptarë të ndahen nga familjet e tyre, në anën tjetër vazhdon nepotizmi i paskrupullt i funksionarëve të BDI-së, të cilët me veprimet e tyre vazhdojnë ta vrasin shpresën e të rinjve shqiptarë.
I tillë është rasti me familjarin e kreut të BDI-së, Besian Ahmeti. Familjari i Ali Ahmetit, me vendim të Ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe miratim të Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, përmes favorizimit partiak e familjar, është emëruar sekretar i parë në Ambasadën e RMV-së në Bruksel, duke ua zënë vendin qindra profesionistëve shqiptarë të kualifikuar për atë pozitë.
Kjo është arsyeja që ta pyesim z. Ahmeti: edhe sa familjarë ju kanë mbetur pa akomoduar në institucionet e shtetit? Edhe sa duhet të presin shqiptarët derisa “Dinastia Ahmeti/BDI” të ngopet mbi kurrizin e tyre? Edhe sa shqiptarë duhet të shpërngulen për t’u kënaqur familja Ahmeti?
Me këtë rast AlternAtivA i bën thirrje Komisionit për Parandalimin e Korrupsion dhe të gjitha institucioneve relevante që të reagojnë ndaj nepotizmit të turpshëm të BDI-së, për të cilin jemi dëshmitarë për çdo ditë.
Lajmi i mirë në këtë fatkeqësi është se vitin tjetër kjo epokë e turpit po perëndon, për t’ia hapur rrugën një shprese të re.