May 11, 2024
Maqedoni

Alternativa e “kalli” Kumanovën!

Përshëndetje e mirëmbrëma të gjithëve!
I nderuar kryetar, z. Afrim Gashi,
Shumë i respektuari deputet, Dr. Hysni Ismaili,
Të nderuar nënkryetarë të Alternativës, Admirim, Bekim e Amir,
Të nderuar këshilltarë, sekretarë, kryetarë të degëve, Orhan, Iljasa, Ali, Mumin, Faton, Samir, baca Hajriz e të tjerët me radhë për të mos i përmendur 28 sa jemi…
e ju shumë të dashur kryetarë të nëndegëve,
I nderuari kryetar i Forumit Rinor, Afan Elezi,
shumë e dashur rini e Alternativës,
Të nderuar aktivistë, familjarë dhe struktura të Alternativës,
zonja e zotërinj,
Më lejoni që fillimisht të shpreh kënaqësinë e madhe dhe nderin e veçantë që ju shoh sonte, në këtë numër kaq të madh, në këtë energji kaq pozitive, me këtë gjallëri frymëzuese për të gjithë ne dhe pikërisht në Kumanovë… në Kumanovën legjendare, heroike e krenare, në Kumanovën shpirtërisht të lidhur me Likovën, të familjarizuar me Haraçinën, të vëllazëruar me Hasanbegun e që gjithmonë e ka në zemër Shkupin, më saktë Çairin .
Ndoshta dikush mund të mendojë që si kumanovar po tregohem subjektiv, duke i vendosur të tillë mbiemra këtij qyteti, por nuk mund të harrojmë se kjo është Kumanova e Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës, Kumanova e Astrit Deharit, Kumanova e Almirit të Vogël, Kumanova e Komandant Shqiponjës, Kumanova e Lagjes së Trimave, ….andaj këto mbiemra nuk ia vura, por ia fali historia e personalitetet e këtij qyteti.
Prandaj, të dashur e të respektuar të pranishëm, Kumanova – me gjitha epitetet e saj – siç u ka bërë ballë sfidave e eksperimenteve të shumta, vazhdon ta bëjë rezistencën e saj kundër forcave që me këmbëngulje po e shfrytëzojnë vetëm për ta nëpërkëmbur e po tentojnë ta braktisin në harresë këtë qytet. Por, prania juaj këtu është dëshmia më e mirë se këtu ende frymon shpresë, një shpresë e cila i ka hapur krahët e saj drejt ndryshimit.
Ta them të drejtën, isha pak konfuz se çka është më e rëndësishme të flas sonte…
A të flas për fillimet e viteve 2015 -2016, a të flas për sfidat dhe dhembjet, për tradhtitë e mashtrimet që na u bënë apo për sukseset e krenarinë? Mendova mos është më mirë të flas për të drejtën e të vërtetën apo të flasë për dëshpërimin e atyre që nuk po ia dalin qëllimit të tyre për të na dobësuar.
Goditjet nën bel i njohim, i dimë nga na vijnë dhe e dimë se kush i porosit. Janë po ata që nuk pushojnë duke shpifur e akuzuar që të ndjellin përçarje. Lajmi i keq për ta është se e kanë humbur betejën dhe se Alternativa është unike, gjë që u dëshmua edhe në mbledhjen e Kuvendit Qendror, ndërsa po vuloset edhe sonte.
Mos duhet të flas sonte edhe se sa i rëndësishëm ishte vendimi ynë për të hyrë në qeveri rreth një viti më parë, një vendim që përtej zhurmave ose, thënë më saktë, shushurimave e kritikave të një pjese të masës, e realizoi ëndrrën disadekadëshe të shqiptarëve, gjegjësisht fillimin e negociatave me Bashkimin Evopian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë… E çka t’i shtoj më shumë këtij fakti, që vërteton se sa i domosdoshëm dhe esencial ishte ai vendim?…
E kur jam këtu, më duhet të theksoj se sa parimorë, korrektë e transparentë u treguam me të gjithë kur hymë në atë qeveri, duke nënshkruar një marrëveshje politike publike. Dhe, tash më duhet të them se ajo marrëveshje u shkel e u prish nga ata që janë mësuar të prishin e të shkelin gjithmonë?…
Tash e di se po të ishte një parti tjetër në vend të Alternativës e dikush nga një parti tjetër në vendin tim sonte, me siguri do të ishte ndalë te kjo e fundit, pra te shkelja e marrëveshjes dhe normalisht kjo do të ishte e zakonshme për një parti politike, mirëpo unë sonte vendosa të flas për diçka të jashtëzakonshme, për diçka që nuk jemi mësuar ta shohim deri tash në skenën politike tek ne, për atë që diti ta dëshmojë vetëm Alternativa për aq kohë sa kishte pushtet, pra për qeverisje e udhëheqje me parime, për udhëheqje me dinjitet, për udhëheqje pa korrupsion, për udhëheqje të suksesshme, që përtej sfidave, solli rezultate të dallueshme për qytetarët tanë. Duke qenë krenarë me punën e tyre, shfrytëzoj rastin në radhë të parë t’i falënderoj figurat që na mundësuan ta bartim këtë mburrje sonte, duke filluar nga tre ish ministrat tanë Bekim, Admirim e Xhemail, zëvendësministrat, drejtorët e zëvendësdrejtorët, që me shumë përkushtim, vetëmohim dhe ndershmëri punuan dhe ia dolën, në plotkuptimin e fjalës, që ta mbyllin detyrën faqebardhë, duke lënë pas një shembull për t’u ndjekur.
E dyta çka dua të potencoj sonte është një moment tjetër i rëndësishëm për ne. Jo një vit më parë, por për një muaj më parë, që ka të bëjë me pozicionimin tonë në opozitë. Ishte ky vendim që mendoj se është po aq i matur sa hyrja e atëhershme dhe po aq i dinjitetshëm sa qeverisja që kemi treguar.
Të nderuar, nëse ka nga ju që kalimin në opozitë e shohin si humbje, mund t’ju them se të humbësh me parime është më mirë se të fitosh me mashtrime. Por, këtë Alternativa nuk e bën… Ne nuk e gënjejmë as veten e as të tjerët.
Prandaj nuk kemi pse të dyshojmë se po të qëndronim në atë qeveri, duke i lejuar të nëpërkëmbin marrëveshjet tona, pos që do ta kishim fyer dinjitetin tonë, do të na pamundësohej të sjellim ndryshim dhe do të pamundësohej dhe ashtu nuk do të realizimi i arsyeve pse ne hymë në atë qeveri. Pra, siç mund ta kuptoni, qëndrimi ynë në qeveri thjesht do t’i jepte infuzion e vitamina Artanit e Kovaçevskit për të vazhduar të lidhin marrëveshje, që kurrë nuk do ishin të gatshëm t’u përmbahen… dhe normalisht nuk kam çka të them për ata që pranuan ta japin këtë infuzion, e që qenë pikërisht ata të cilët nuk lanë gjë pa thënë për vendimin tonë të atëhershëm. Edhe pse nuk duhet të jesh gjeni për ta kuptuar se vendimi në kohën tonë ishte domosdoshmëri, ndërsa vendimi në kohën e tyre ishte thjesht lakmi. Kjo u pa qartë, sepse dolën të ishin justifikime të pabaza ato se gjoja “e zgjerojmë shumicën”, ngase realiteti u pa – 64 ishin, 64 mbetën.
Megjithatë, të respektuar, më lejoni të shtoj që aq krenar sa më bën ajo qeverisje dinjitoze, po aq krenar më bën vendimi unanim i strukturave për të dalë nga qeveria në opozitë. Kjo më jep edhe njëherë bindje se ky subjekt, pos që është unik, është edhe subjekt i njerëzve me ideal, që nuk bëjnë kalkulime për interesa personale, por veprojnë vetëm dhe vetëm mbi nevojat e qytetarëve. Kjo është dëshmi se nuk jemi nga ata që Noli i quajti kolltukofagë, që aq shumë janë ngjitur për kolltukët e tyre, sa janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë, por jo edhe ta lëshojnë kolltukun. Fatkeqësisht, disa e argumentojnë jo vetëm pohimin e Nolit, por edhe vargjet e Ali Asllanit kur thoshte se “ai kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’, ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!”.
E dashur Aletrantivë, të tillë duhet të mbetemi në qëndrime, duke besuar fort në vlerat dhe bindjet tona të pastra, ndërsa fokusi ynë duhet të jetë në fuqizimin, aktivizimin, motivimin dhe përfshirjen e të gjitha strukturave tona, duke filluar nga çdo nëndegë, degë, forumi rinor, forumi i gruas, e deri në organet më të larta të partisë. Pozitë apo opozitë, për ne është e rëndësishme që gjithmonë ta japim më të mirën e mundshme dhe gjithmonë të jemi të drejtë në atë që e bëjmë. Prandaj besoj se kjo periudhë do të jetë një periudhë e rëndësishme ku ne si Alternativë do ta shfaqim vullnetin tonë të mirë, dëshirën tonë për ndryshim, ashtu siç po shfaqet sonte këtu… vetëm kështu do të vijë dita ta marrim atë që e meritojmë ashtu siç na takon.
E rrjedha e ngjarjeve dhe zhvillimet politike lënë të kuptohet se kjo qeveri e interesit dhe e shpëtimit të disa individëve, e qe besa edhe të nja dy partive të copëtuara – LSDM e BDI, i ka ditë e numëruara.
Pra, siç mund ta merrni me mend, na pret një rrugë e gjatë, e zëshme dhe e vështirë, por në fund të kësaj rruge është një dritë shprese që na pret ta prekim.
Kush udhëhiqet me sinqeritet, nuk mund të zhytet në turp, ndërsa po shihet qartë se çdo sfidë veç po na bën edhe më të fuqishëm.
E, siç thotë Zeka jonë, nuk ka sukses pa tentativë, sepse gjithmonë ka Alternativë.
Ju faleminderit dhe na priftë e mbara!

Bashkim Murtezi,

Sekretar Organizativ i Alternativës