Alsat:VMRO-DPMNE dhe VLEN janë marrë vesh për daljen e Maqedonisë nga “Ballkani i Hapur”
VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN dhe kanë realizuar takim, ku siç informuan është rënë dakord për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për qeverinë e ardhshme.
Duke u thirrë në burime nga takimi, Alsat ka njoftuar se VMRO-DPMNE dhe VLEN janë marë vesh për daljen e Maqedonisë nga “Ballkani i Hapur”.
“VLEN ka kërkuar dalje nga Ballkani i Hapur dhe një ide e tillë është përqafuar nga VMRO-DPMNE”, raportoi Alsat.
Kjo si duket është arritur parimisht dje kur kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, së bashku me nënkryetarët Aleksandar Nikoloski, Vllado Misajlovski, Timço Mutsunski dhe Gordana Koçoska Dimitrieska, u pritën në selinë e VLEN në Shkup nga Arben Taravari, Izet Mexhiti, Biljal Kasami dhe Afrim Gashi.
“Është rënë dakord për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për qeverinë e ardhshme, të cilat do të bazohen në tre postulate: integrimi evropian, zhvillimi i përshpejtuar ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i ligjit”, informuan nga VMRO-DPMNE.
Bashkim Bakiu nga VLEN pas përfundimit të takimit theksoi se negociatat po shkojnë në drejtim të duhur.
“Negociata shkojnë në drejtim të duhur dhe më vonë do të informoheni me komunikatë për detaje, lartë poshtë nga e hëna fillojnë të formohen edhe grupet për të realizuar negociatat”, tha Bakiu.
Nga VLEN konfirmuan se është rënë dakord që nga dita e hënë bisedimet të vazhdojnë në nivel të grupeve punuese.