Alsat: Nëse ASH hyn në Qeveri, Krenar Lloga ministër i mundshëm i drejtësisë
Derisa kryeministri Dimitar Kovaçevski ka mohuar negociatat me Aleancën për Shqiptarët për hyrje në Qeveri, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se ai personalisht ka realizuar takime me përfaqësues të ASH-së për të negociuar për pjesëmarrje në ekzekutiv. Alsat ka siguruar edhe dëshmi të angazhimit të kreut të BDI-së Ahmeti në takime me Taravarin kohë më parë, edhe në hollin e Kuvendit. I pyetur se për cilët ministri negociohet Ahmeti ka thënë se ende nuk është diskutuar për detajet.
“Me Aleancën takimet, do të thotë me përfaqësues të tyre i kam bërë unë, ka bërë takim edhe Kovaçevski me z. Taravari. Do të shohim se çfarë epilogu do të ketë nga bisedimet që do bëhen mes palëve. Akoma nuk është biseduar për detaje dhe nuk mund të paragjykoj tani për tani sepse është një proces në zhvillim e sipër”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Takimet me BDI-në i pohojnë edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Për Alsat nga kjo parti thonë se kryetari Arben Taravari ka deleguar zyrtar të partisë për të komunikuar me partinë e Ahmetit.
Takimet me BDI-në i pohojnë edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Për Alsat nga kjo parti thonë se kryetari Arben Taravari ka deleguar zyrtar të partisë për të komunikuar me partinë e Ahmetit.
“Ne kemi kanale komunikimi në vazhdimësi me të gjitha partitë politike. Në këtë drejtim ka pasur takim nga të deleguar të kryetarit për takim edhe me BDI-në. Kësi lloj komunikimesh do të vazhdojmë të kemi me të gjitha partitë politike, e në veçanti komunikim intensiv do të ketë me partitë politike shqiptare”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Alsat jo zyrtarisht mëson se në negociatat me ASH-në në lojë janë disa kombinime, filluar me Ministrinë e Drejtësisë për një nga negociatorët e Aleancës, Krenar Llogën, ministrinë e Arsimit, atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës si dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas burimeve të Alsat, në kampin e LSDM-së, partia maqedonase në pushtet nuk është aq e kënaqur nga ky imponim, madje nuk ka ndërmend të lëshojë ministri të sajat. Në rast të dhënies së Drejtësisë, kërkon në këmbim Ekologjinë, që do të thotë se vend për Aleancën do të bëjë BDI-ja me 2 ministri të dhuruara, dhe Alternativa, me një ministri nga radhët e saj. Deri dje përflitej edhe posti i zv/kryeministrit për çështje ekonomike Bytyqi, por si duket, LSDM-ja ende nuk është bindur për të, pasi Bytyqi mban edhe pozitën e nënkryetarit të LSDM-së, që është fija e fundit e konceptit “Shoqëri për të gjithë” me të cilët afroi shqiptarët rreth saj. /Alsat.mk