Alsat: Bujar Osmani – Haxhi Pishmani
Reagimet për aferën për tenderin për 1.8 milion euro të Ministrisë së Punëve të jashtme për kompaninë donatore të BDI-së, “Eurovia”, ministri Bujar Osmani i quan si “gjueti shtrigash”.
Ai tha se ka kërkuar nga të punësuarit në ministri që të gjithë dokumentacionin menjëherë ta dërgojnë në Komisionin për antik korrupsion, në komisionin për revizion dhe në prokurori, shkruan Alsat.
Osmani madje në të njëjtën fjali thotë se nga mediat ishte informuar se kompania është donatore, por edhe se nuk është ndjerë i lumtur kur e ka parë listën e të radhiturve në tenderë për çka ka pritur reagime të opinionit.
“E di se nuk ju besohet, por besoni se unë nga mediat e kuptova se kompania është donatore. Nuk isha i lumtur kur ma sollën raportin për rangimin, për shkak se i prisja këto reagime dhe asnjëherë nuk do i vendosja njollë ngjarjes më të rëndësishme në historinë e këtij shteti”, tha Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.
Por nga VMRO-DPMNE thonë se biznes-lidhja e pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së me Kompaninë “Eurovia” është e dukshme. Zëdhënësja Marija Miteva deklaron se këtë e dëshmojnë të hyrat e fitimet e kompanisë në vitet e fundit.
“Nëse shihen të dhënat e rritjes së të ardhurave, do të vërtetohet se vetëm në një vit, nga viti 2021 deri në vitin 2022, ka rritje prej më shumë se 100%, respektivisht të ardhurat në vitin 2021 ishin 7.4 milionë euro dhe vitin tjetër gati 15 milionë euro. Për sa i përket fitimit, situata është gjithashtu në rritje, sidomos në dy vitet e fundit, pra fitimi në vitin 2021 ishte 576 mijë euro, ndërsa tashmë në vitin 2022, 787 mijë euro”, u shpreh Marija MIteva, VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE thonë se nëse Prokuroria Publike dhe Komisioni për anti korrupsion nuk veprojnë pas të gjitha këtyre informacioneve dhe dëshmive atëherë do të nënkuptohet se BDI dhe LSDM mbrojnë interesat e tyre të biznesit përmes keqpërdorimit të parave të qytetarëve. MPJ ndan tender prej 1.8 milion euro për kompaninë “Eurovia”, e cila figuron si kompani donatore e BDI-së, e cila duhet të nëjë përshtatjen e sallës “Boris Trajkovski” për samitin e ministrave të OSBE-së./Alsat.mk