Maqedoni

Aliu: E çuditshme që me vite shqiptarët testin për punësim në administratë e kanë bërë vetëm në maqedonisht

Ministri i Shoqërisë Informative, Azir Aliu tha se me vite shqiptarët provimet për në administratë i kanë dhënë në gjuhën maqedonase. Ai tha se nuk është dashur të ndryshohet asgjë por thjeshtë është bërë përkthimi i pyetjeve dhe rasteve të studimit në gjuhën shqipe.
“Është edhe neglizhenca e institucioneve për arsye që janë vërtetë të çuditshme, me vite të mos bëhet përkthimi i pyetjeve, mos mundësohet që shqiptari t’i nënshtrohet provimit në gjuhën që ka mësuar është e çuditshme”, tha ministri Aliu në emisionin “Intervistë në SHENJA”.
Ai tha se në analizë që janë bërë shumë shqiptarë nuk e kanë kaluar provimin pikërisht shkaku se pyetjet kanë qenë në gjuhën maqedonase.

Kemi dy BDI, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë, ASH të dalë e vetme në zgjedhje

Ministri i Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, në pyetjen nëse ASH do të jetë pjesë e bllokut opozitar shqiptar, tha se Aleanca për Shqiptarët ka kapacitetet dhe infrastrukturë që të del e vetme në zgjedhje e ardhshme parlamentare.

“Që të jem edhe më i hapur unë të dy blloqet i shoh njëjtë vetëm me strukturë të jashtme të ndryshme. Që të jem edhe më i qartë, nëse e analizoni BDI-në si parti, është BDI-ja që është 20 vjet në Qeveri. Analizoni partitë opozitare, janë parti që kanë dalë nga BDI dhe kur ta shihni në total i keni dy BDI. Njëra në Qeveri dhe tjetra në opozitë”, tha Aliu, në emisionin “Intervistë në SHENJA”.

Ai tha se ASH do të jetë ashtu siç ka qenë deri tani, me programin ndryshe nga të gjithë me qasjen para qytetarëve.