Aliu: Digjitalizimi i shërbimeve do të ulë korrupsionin dhe do të lehtësojë jetën e qytetarëve
Për platformën #Depolarizohu, e cila është pjesë e projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, stabile, inkluzive: kontribut i shoqërisë civile”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA bisedoi me ministrin e shoqërisë informatike dhe administratës, Azir Aliu.
Në fokus të intervistës janë aktivitetet që zbatojnë institucionet në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, më konkretisht në çështjet që janë pjesë e skriningut dhe klasterit të parë të negociatave mbi vlerat themelore, funksionimin e institucioneve demokratike, reformat në administratën publike dhe bashkëpunimin ndërsektorial. Në pjesën e parë të intervistës, ministri Aliu u përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me digjitalizimin e institucioneve dhe shërbimeve, si dhe me aktivitetet për parandalimin e korrupsionit.
IMA: Z.Aliu, ju falënderojmë që iu përgjigjët ftesës për këtë intervistë. Së fundmi e keni promovuar platformën më të re onlajn të MShIA-së, “Era Digjitale” dhe keni paralajmëruar hapa të ri në procesin e transformimit digjital dhe shërbime të reja elektronike për qytetarët. A mundeni të na tregoni më konkretisht për cilat shërbime digjitale bëhet fjalë?
Aliu: Faleminderit shumë për pyetjen. Në aspektin e transformimit digjital të shtetit, ju e dini që Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë i ka tri shtylla kryesore, në të cilat menaxhojmë dhe krijojmë politika. E para është infrastruktura dhe IT-ja, shtylla e dytë është administrata publike, dhe shtylla e tretë është mediat.
Në shtyllën e parë, nga dita e parë që jam këtu në këtë ministri, në përputhshmëri me transformimin digjital të Bashkimit Evropian dhe agjendën të cilën e kemi, në përputhshmëri me këtë agjendë e krijuam edhe programin e ministrisë, në të cilin do të bëjmë transformimin digjital të shtetit, si në aspektin të infrastrukturës ashtu edhe në aspekt të digjitalizimit të shërbimeve.
Në aspekt të infrastrukturës dëshirojmë të përmirësojmë cilësinë e interoperabilitetit në shtet, pra të lidhim institucionet në aspekt horizontal që komunikimi të jetë në kohë reale dhe i sigurt. Ndërsa në aspektin e krijimit të shërbimeve digjitale, ne tani punojmë intensivisht që deri në fund të vitit të kemi 150 shërbime të digjitalizuara në shtetin tonë. E dini që nëpërmjet digjitalizimit, përmirësojmë edhe cilësinë edhe optimizimin e shërbimeve. Kështu që, në fund të ditës qytetarët do të kenë një shërbim më cilësor dhe më optimal.
Aliu: Digjitalizimi do ta ulë korrupsionin
IMA: Gjithashtu, paralajmëruat formimin e Agjencisë për Digjitalizim. A mund të na tregoni më konkretisht se për çfarë institucioni bëhet fjalë, çfarë kompetenca do të ketë, çfarë infrastrukture dhe strukture, dhe kur do të fillojë të funksionojë ky institucion? A janë të gjitha këto iniciativa dhe procese në përputhje me vlerat evropiane të demokracisë digjitale dhe cilat masa janë ndërmarrë që procesi i digjitalizimit të garantojë institucione demokratike sipas reformave që parashihen në klasterin e parë?
Aliu: Gjithsesi, do të filloj nga fundi. Nëpërmjet digjitalizimit, përveç që përmirësoni cilësinë e shërbimit dhe digjitalizohet i njëjti – me qëllim që unë si qytetar të kem mundësi që nëpërmjet formave të ndryshme digjitale të arrij në ndonjë shërbim – forma tjetër e digjitalizimit, dhe optimizimi i tij është duke anashkaluar pjesën administrative, ose atë pjesën e zyrës, ky proces në të cilin duhet shërbimi t’i jepet qytetarit, kalon, le të themi në disa zyre, disa duar, apo disa administratorë.
Si rezultat përmirësoni, ulni korrupsionin. Si rezultat përmirësohet cilësia e dhënies së shërbimit në kohë reale. Tani, për të mbuluar të gjithë procesin e digjitalizimit, transformimit digjital në shtet, juve ju duhet ta ndiqni këtë proces, pasi është një eko-sistem jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm dhe shumë domethënës në aspektin e krijimit të digjitalizimit në proces optimal.
Ekzistojnë shtete që kanë bërë vetëm digjitalizimin e një procesi, pa marrë parasysh të gjithë eko-sistemin. Këtu hyn trajnimi i administratës, informimi i qytetarëve si të arrijmë në ndonjë një shërbim në ndonjë shërbim digjital, dhe kështu me radhë.
Për këtë arsye, ne si ministri, bëmë një analizë funksionale të proceseve dhe institucioneve të cilat ekzistojnë në sektorin publik, në aspekt të infrastrukturës së IT-së, por edhe në aspekt të shërbimeve të cilat ato i japin. Dhe, në bazë të kësaj, do të krijohet një udhërrëfyes për digjitalizimin e shtetit deri në vitin 2030.
Që të ndiqni këtë proces, do të duhet të keni një institucion, i cili do të jetë ombrella kryesore që do t’i ndjek proceset, ato që i ceka më herët. Kjo ka qenë iniciativa jonë si ministri, që për fat të mirë në qeveri u prit shumë mirë. Dhe, tani në këtë moment derisa flasim, grupi punues krijon ligj të posaçëm për Agjenci për digjitalizim, e cila do t’i ketë katër shtylla kryesore. Shtylla e parë do të jetë infrastruktura digjitale në shtet, shtylla e dytë do të jetë zhvillimet softuerike dhe aplikacionet të cilat institucionet shtetërore do t’i shfrytëzojnë. Shtylla e tretë do të jetë shtylla akademike apo trajnime dhe informimi i qytetarëve, dhe trajnimi i administratorëve në aspekt digjital për punët digjitale. Dhe, shtylla e katërt është siguria kibernetike.
Kështu që, besojmë që kjo agjenci, përveç që do ta reformojë dhe do ta ndjekë procesin e digjitalizimit në shtet, do të ndihmojë edhe në aspekt të optimizimit të resurseve. Në çfarë këndvështrimi? Ju sot keni institucione të ndryshme të cilat kanë zgjidhje të ngjashme apo të njëjtë, por në të cilat është shpenzuar shumë si në aspekt të trajnimeve ashtu edhe në aspekt të ngritjes së këtyre shërbimeve. Kjo nuk do të ndodhte, poqë se do të kishim pasur një agjenci e cila do t’i mbulonte këto shërbime në nivel të shtetit.
Gjithashtu, le ta themi edhe një shembull më konkret: ju sot, nëse blini resurse softuerike apo licenca në nivel të shtetit do t’i keni shumë më lirë, shumë më të shfrytëzueshme, më interoperabile, do të thotë do të mund t’i ndiqni se si komunikojnë institucionet ndërmjet vete dhe, në fund të ditës, do të keni një pasqyrë reale për transformimin digjital të shtetit.
Aliu: Digjitalizimi i shërbimeve duhet t’ua lehtësojë jetën qytetarëve
IMA: Çfarë parashikon Strategjia e re për transformim digjital, nga pikpamja e ngritjes së pengesave burokratike nga të cilat ankohen një numër i madh i qytetarëve? A mundemi të flasim për transformimin digjital të shoqërisë pa letërnjoftimin elektronik, që u premtua qëmoti dhe ende nuk është realizuar?
Aliu: Në fakt procesi i transformimit digjital gjithandej, është proces i cili nuk ka moment që do të thoni – sot jemi gati, jemi transformuar në aspekt digjital dhe nuk do të duhet të bëjmë ndonjë ndryshim. Është proces i gjatë, në të cilën gjatë gjithë kohës do duhet të ndryshoni ose teknologjitë, ose proceset.
Çka është digjitalizim i një shërbimi? Ju do të duhet të ndiqni një biznis-proces, i cili krijohet apo zhvillohet në një zyrë, të njëjtin e digjitalizoni, dhe pastaj qytetari e ka si shërbim të tillë elektronik. Momenti i digjitalizimit të shoqërisë, pikërisht me pyetjet që më thatë më herët, lidhet ngushtë me institucionin, i cili do ta ndjek të gjithë këtë eko-sistem. Nga informimi, trajnimi, dhe krijimi i infrastrukturës, gjithashtu edhe në optimizimin e proceseve në nivel të shtetit apo të institucioneve.
Ju përmendët – a kemi transformim digjital pa letërnjoftim? Unë ju them jo, digjitalizimi i një shteti nënkupton qytetari t’i ketë, në një telefon të mençur, gjithçka brenda. Duke filluar nga letërnjoftimi, shërbime të ndryshme, si ato shëndetësore edhe ato institucionale, po edhe akademike. Që në fund të ditës, secili nga ne kemi me vete nga një telefon të mençur, i cili ka memorie, ka procesor dhe ka mundësi për konektim me klaud (cloud), me ndonjë bazë, me të cilën në kohë reale ju do t’i keni të gjitha shërbimet në telefon.
Tendencat e digjitalizimin në nivel botëror, jo vetëm te ne, janë që qytetari ta ketë jetën më të lehtë. Në kohë reale ta arrin informatën të cilën e dëshiron. Dhe, komunikimi me institucione të ndryshme të jetë nga një pikë. Çka bëjmë ne si shtet dhe çka kemi bërë si ministri? Deri tani kemi pesë pika për një shërbim. Ato janë në Shkup, në Kumanovë, në Manastir, në Ohër, dhe në Tetovë. Shkojmë një hap më tej – bashkë me Postat e Maqedonisë, do të krijojmë 333 pika në nivel të shtetit që derisa transformimi digjital të arrijë në telefon të mençur, qytetarët do të mund t’i marrin këto shërbime, nëse nuk dëshirojnë nga shtëpia, t’i marrin edhe në zyrat, apo nga hapësirat ku posta i posedon në nivel të shtetit.
Aliu: Digjitalizimi sjell shërbime më të shpejta dhe eliminon keqpërdorimet e institucioneve
IMA: Çfarë masa ka ndërmarrë MShIA për parandalim dhe luftë kundër korrupsionit në administratën publike?
Aliu: Tani, në mënyrë indirekte, po edhe direkte, pse jo, transformimi digjital, apo digjitalizimi i proceseve, më besoni që dukshëm zvogëlon, apo do të eliminojë korrupsionin. Sidomos korrupsionin në nivel të ulët. Që të arrini në ndonjë shërbim ju duhet shumë kohë, ose nëse do të ketë mundësi për keqpërdorim, do ta shfrytëzojë ndonjë administrator ta bëjë këtë. Nëpërmjet digjitalizimit, ju e anashkaloni aktorin administrator, i cili mund t’ua stërzgjatë shërbimin, apo do të keqpërdorë me dhënien e këtij shërbimi.
Besoj që kjo është rruga e vetme për një, le të themi, optimizim të administratës publike, jo vetëm në aspekt të infrastrukturës, por edhe në aspekt të dhënies së shërbimeve. Kur them optimizim, mendoj në aspekt kohor, po edhe në aspekt të keqpërdorimit të detyrës. Në aspekt kohor, ju do të mbërrini shumë më shpejtë në shërbim. Ndërsa në aspekt të keqpërdorimit, do të ulet, apo do të eliminohet keqpërdorimi i institucioneve publike.
Intervistoi: Petrit Saraçini, më 19 maj 2023