Ali Ahmeti shpallet qytetar nderi i Tiranës, Hasani: Zgjedhjet e 8 majit, referendum për në BE
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u nderua sot me titullin “Qytetar nderi” i Tiranës. Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar nderi i Tiranës” me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, rritjen e marrëdhënieve politike, shoqërore dhe ekonomike midis komunitetit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me qytetarët e Tiranës dhe forcimin e lidhjes mes komuniteteve për të ndërtuar një klimë të përbashkët të bashkëpunimit dhe respektit ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve.”. Ahmeti me këtë rast tha se kjo është Tirana edhe e Adem Jasharit, edhe e Zahir Pajazitit, Femi Lladrovcit e Xhev Krasniqit, Tirana, e cila i ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj të gjithë veprimtarët një pjesë e të cilëve tani janë dëshmorë.
“Vërtetë Shqipëria ka ndarë bukë e krip e zemër me ne, me të gjithë ata që nuk janë sot, por është Kosova shtet, por janë shqiptarët në Maqedoni shtetformues. Se shqiptarët në Maqedoni ishin të diskriminuar, se shqiptarët në Maqedoni ishin të margjinalizuar, shqiptarët në Maqedoni ishin të mbivotuar, pa simbole kombëtare, pa gjuhë, pa universitete pa…i dashur Edi, sot edhe ju Skenderbeun e keni në qendër të Tiranës, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër.”, – deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti theksoi se edhe në Maqedoninë e Veriut parashihet dënim nëse në zyra e komuna nuk vendoset flamuri kombëtar shqiptar. Po ashtu ai tha se i janë marrë kazermat Mlladiqit dhe është vendosur universiteti “Nënë Tereza”, ashtu si edhe në Kumanovë ku është vendosur universiteti i Tetovës.
Ndërkohë kandidatët e “Frontit Evropian” për deputetë vazhdojnë të kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 8 majit. Kandidati për deputet në njësinë e parë zgjedhore, Ilir Hasani, duke e quajtur referendum ditën e 8 majit ka thënë se vota për këtë koalicion është mbështetje për rrugën evropiane të vendit. Ai tha se 27 vitet e jetës së tij i ka kaluar duke e pritur Kiro Gligorovin për ndryshimin e emrit, e pas 27 vitesh ishte e patjetërsueshme ta ndryshojmë emrin, për t’i hapur dyert e anëtarësimit në NATO, prandaj nuk dëshiroj që edhe fëmijët e mi të presin 27 vjet për anëtarësimin e vendit në BE, tha Hasani.
“Është shumë me rëndësi data e referendumit të 8 majit, kur ne do të duhet të orientohemi nga Evropa, është data kur ne duhet ta pastrojmë rrugën dhe të shkojmë për Evropë. Jo vetëm për ne, por më së shumti për këtë rini, e cila po e pret në rend.”, – theksoi kandidati për deputet në njësinë e parë nga “Fronti Evropian”, Ilir Hasani.
Nuk mund të lejojmë që rinia jonë të mbetet në mëshirën e Mickoskit apo Siljanovskës, që t’ua pengojë rrugën e nisur drejt Evropës, tha Hasani. Ai ftoi rininë dhe të gjithë qytetarët e vendit që më 8 maj të dalin masovikisht për të votuar “Frontin Evropian” që drejtohet nga Ali Ahmeti, i cili siç tha Hasani është burrështetasi që do të na drejtojë drejt BE-së.