Maqedoni

Ali Ahmeti nga Gostivari: Fronti Europian fitues absolut i zgjedhjeve

Para të pranishmëve Ahmeti theksoi se ky front do të jetë jo për përdorim të njëhershëm për zgjedhjet presidenciale e lokale, ky front do të jetë jetëgjatë, sepse interesat janë të përbashkëta nuk mund t’i ndajmë njerëzit që jetojnë bashkë, sepse janë krijuar si një familje.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë:

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike turke, doktor Beycan,
I dashur kryeministër,
Kandidat për president Bujar Osmani, dhe funksionarë të lartë të BDI-së dhe PDT-së në Maqedoninë e Veriut,

Të gjithë sot në këtë sallë i shoh se sytë u shkëlqejnë dhe plot gëzim. Sot i kam dy gëzime, gëzimin e parë e kam sepse po bëhet një marrëveshje vërtet historike për të dy komunitetet tona edhe për shqiptarët edhe për turqit. Gëzimin e dytë e kam se 22 vite po bëj përpjekje për një front të tillë dhe pas çerek shekulli po realizohet.

Mendoj se Marrëveshjes së Ohrit i duhen të gjitha partitë politike, për të ndryshuar statusin politik në Maqedoninë e Veriut. U ndryshua statusi i popullit turk, boshnjak, dhe rom. Këtë ndryshim ma ka thënë dhe presidenti i ndjerë Trajkovski, i cili më tha se me marrëveshjen e Ohrit kam fituar dhe unë, sepse u pranua dhe besimi evangjelist që ishte i papranuar në këtë shtet. Marrëveshja e Ohrit është një pasuri dhe kapital për komunitetet që ishin të margjinalizuara.

Më çojnë një telegram nga Komuna e Kërçovës dhe më pyesin, kërkon komuniteti turk zyrtarizimin e gjuhës turke në Kërçovë, por duhet që unë ta vërtetoj me një dokumentacion të nënshkruar nga unë. S’kam hezituar fare, në vend kam lëshuar dokumentacionin dhe është votuar në Këshillin e Komunës së Kërçovës që gjuha turke të jetë zyrtare.

Marrëveshja e Ohrit jo vetëm që forcohet me këtë front, por çelikoset që askush të mos mund as ta rrënojë as ta nëpërkëmbë, ky front ndërtohet me boshnjakë, turq, romë e shqiptarë, pikërisht ata e kanë pasurinë më të madhe të kësaj marrëveshjeje.

Më bëri përshtypje deklarata e gjeneralit të ushtrisë turke me rastin e inaugurimit të aeroportit të Aviacionit Ushtarak në Kuçovë të Shqipërisë. Përveç marrëdhënieve etnike mes dy vendeve, ai veçoi edhe lidhjet tona 500 vjeçare, por në veçanti lidhjet e forta, urat e çelikta, shqiptarët e Turqisë dhe turqit në Shqipëri e rajon, kjo është lidhja më e madhe mes dy kombeve.

Ky front do të jetë jo për përdorim të njëhershëm për zgjedhjet presidenciale e lokale, ky front do të jetë jetëgjatë, sepse interesat janë të përbashkëta nuk mund t’i ndajmë njerëzit që jetojnë bashkë, sepse janë krijuar si një familje.

Ne kemi vetëm një dallim, vetëm gjuhën, ndërsa të gjitha të tjerat i kemi të përbashkëta. Ky front edhe ju vetë të dashur pjesëtarë të përkatësisë së komunitetit turk, do ta provoni se ky bashkëpunim, më shumë se politikë, do të jetë bashkëpunim vëllazëror.

Ne po bëjmë përpjekje bashkë që vendin ta anëtarësojmë në BE, gjithashtu që të forcojmë dokumentet e pakontestueshme të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet për vendin dhe rajonin. Prandaj motoja jonë jo rastësisht është po Europës dhe jo Rusisë, sepse ne duam paqe dhe stabilitet për të gjitha kombet në Europë.

Të nderuar vëllezër e motra,

Unë do të doja që ju t’i përhapni këto ide njerëzore se po bëhemi bashkë për të ardhmen e fëmijëve tanë, këto janë përpjekje sa fisnike aq edhe në dobi të njerëzve dhe familjeve tona që të nesërmen ta bëjmë edhe më të mirë dhe më të begatë, sepse punët e mëdha nuk bëhen vetëm por kur jemi të gjithë bashkë rreth një qëllimi as muri e as kështjella me një gurë nuk bëhet, prandaj të gjithë ju nga një gurë e bëjmë një mur të fortë të pakapërcyeshëm.

Të rrojnë popujt tanë, rrofshi të gjithë ju urime dhe suksese për këtë front i cili do të përballet me beteja edhe më të forta drejt realizimit të qëllimeve tona përfundimtare.