Ali Ahmeti dhe Talat Xhaferi nesër në Prishtinë, a do takohen me Kurtin?
Nesër në Prishtinë, më 15 shkurt 2024, do të promovohet libri “Shtet i ri, burrë shteti modern: Hashim Thaçi, një biografi”, nga autorët Roger Boyes dhe Suzy Jagger.
“Ky promovim po organizohet në shenjë të 16-vjetorit të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik. Kosova ka hyrë në vitin e katërt prej kur presidenti Thaçi, figura kryesore e pavarësisë, po mbahet padrejtësisht në Hagë, të cilit nuk i është mundësuar madje as arresti shtëpiak, as atij dhe as bashkëluftëtarëve të tij”, ka thënë Ismail Syla, ish-këshilltar i Thaçit.
“Pavarësisht, zhvillimeve të këtij procesi gjyqësor në Hagë, historia moderne e Kosovës, historia politike Hashim Thaçit, nuk mund të errësohet dhe të rishkruhet nga askush dhe as nga qarqe që nuk ia duan të mirën Kosovës”, shtoi ai.
Ky libër i gazetarëve të njohur britanikë, në gjuhën shqipe është sjellë nga shtëpia botuese “Fan Noli”. Përkthimi i librit është bërë nga ish-ministrja e jashtme e Shqipërisë, diplomatja e njohur Arta Dade.
Syla ka treguar se të ftuar në këtë promovim në këtë promovim janë figura të rëndësishme nga vendi dhe rajoni, nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Burime partiake kanë njoftuar për portalin Lideri.mk se në promovim është ftuar dhe pritet të marë pjesë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Nëse ia lejojnë angazhimet, Ahemtin do e shoqërojë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi. Nuk dihet ende nëse në promovim do të jetë prezent kryeministri kosovar, Albin Kurti.
Promovimi do të bëhet në orën 17:00, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë dhe ai organizohet nga Shtëpia Botuese “Fan Noli” në bashkëpunim me Fondacionin “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”./Lideri