Maqedoni

Aleanca dhe Alternativa po i “ngjeshin” radhët në prag të kongreseve partiake

Strukturat e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për momentin janë në fazë të përgatitjes paralele për kongreset e ardhshme partiake.
Në të gjitha degët dhe nëndegët e tyre po zhvillohen kuvende zgjedhore, kurse po formohen edhe struktura të reja partiake, duke mbuluar vendbanime të reja që deri tani kanë qenë të pambuluara.
Nga dy partitë shprehen për Almakos të kënaqura nga ecuria e deritanishme e përgatitjeve për kongres, por edhe nga prurjet e mëdha të anëtarëve të rinj, që po sjellin freski politike jo vetëm në këto parti, por edhe në skenen politike shqiptare në përgjithësi.

E me afrimin e Kongresit, gjithnjë e më evidente është se Ziadin Sela do të jetë kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët edhe për një mandat tjetër. Të paktën kështu thonë 1600 anëtarët e Aleancës të cilët kanë dhënë mbështetje dhe kanë propozuar Selën që të vazhdojë udhëheqjen me partinë.

“Deri në datën e caktuar ne si Komision që jemi caktuar nga ana e Kuvendit qendror të partisë, kemi konstatuar se tek ne kanë ardhur 1600 nënshkrime për një kandidaturë të vetme me emrin Ziadin Sela”, tha Halil Snopçe, ASh.

Kandidati i dytë më i përfolur për kryetar të ASH-së ishte edhe Arben Taravari, por sipas Komisionit që ka verifikuar kandidaturat në ASH, Taravari nuk ka kandiduar. Ai kohë më parë u shpreh se kandidaturën mund ta mendojë vetëm nëse Sela nuk rikandidon.

“Nëse Sela do të kandidoj, as nuk do të diskutohet nëse unë do të kandidojë. Nuk vjen parasysh. Por nëse nuk rikandidon mund të mendoj. Mendoj se z.Sela duhet të vazhdoj dhe do ta ketë mbështetjen time maksimale”, u shpreh Taravari.

Për të kandiduar për kryetar partie sipas statutit të ASh-së është dashur të mblidhen minimum 400 nënshkrime në një afat prej 2 javëve para mbajtjes së Kongresit, i cili do të mbahet më 17 mars. Aktualisht ASh numëron rreth 11 mijë anëtarë, prej të cilëve rreth 3.500 janë anëtarë të rinj.

Pak më vonë do të mbahet edhe Kongresi i partisë Alternativa të Afrim Gashit. Edhe kjo parti është duke zgjedhur strukturat e reja partiake nga Likova deri në Strugë. Për momentin nuk ka ndonjë kandidim zyrtar për kryetar partie, por më të mëdha janë gjasat të rizgjedhetvkryetari aktual, Afrim Gashi.
Pozitat e tij brenda partisë janë forcuar edhe më teper pas negociatave të suksesshme për kyçje në Qeveri me Marrëveshjen me 9 pika, që është hera e parë një parti politike shqiptare të bëhet pjesë e Qeverisë jo vetëm me poste, por edhe me Marrëveshje të nënshkruat programore.