Albin Kurti takon shokët e burgut nga Drenasi
Në Drenas, takova sot dy shokët e mi të burgut, Milazim Mustafën dhe Elmi Gjylanin, ish të burgosur politik. Për të parën herë ishim takuar në burgjet e Pozharevcit e Nishit, në vitin 1999. Këtë herë, me ta ishin bijtë e tyre, të rritur. Në kohën e vuajtjes së dënimit, Asdren Mustafa ishte 3 vjeçar, ndërsa Altin Gjylani ishte foshnje, vetëm disa muajshe.
Milazimi ishte burgosur së bashku me dy vëllëzërit e tij, Halilin dhe Përparimin. Kujtuam bashkë vëllaun e vogël të tij, Përparimin, i cili ka ndërruar jetë më 5 shkurt të këtij viti, pas një infarkti. Ai ishte idealist e punëtor, ish i burgosur politik, që pas luftës, për 22 vite kishte punuar si vozitës i furgonit. Në sytë e Milazimit e Elmisë rrëzëllen dashuria për Kosovën, e në fjalët e tyre nuk dëgjohet tjetër veçse urata për kombin. Kështu i mbajë mend në burg, si motivues e shokë që të qëndrojnë pranë, kështu janë po edhe sot.