June 29, 2024
Maqedoni

Albin Kurti në UT: Alban Ajeti nuk arriti të diplomojë në farmaci, por mori diplomën e dëshmorit të kombit

Në Universitetin e Tetovës u shënua sot përvjetori i rënies për liri të studentit të këtij universiteti, Alban Ajeti, ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Albani kishte lënë studimet për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së për çlirimin e Kosovës, luftë në të cilën flijoi edhe jetën e tij. Në ceremoninë e organizuar nga UT-ja i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, informon Klan Macedonia. Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi Alban Ajetin si “pëllumb dëshmor i UÇK-së”.

“Përnjëmend Albani nuk arriti t’i përmbyllë studimet për farmaci dhe nuk arriti të marrë diplomë nga Universiteti i Tetovës sepse koha ia kërkoi që statusin e studentit ta këmbente me atë të luftëtarit të lirisë. Por pikërisht duke luftuar për lirinë e Kosovës, ai e mori diplomën e dëshmorit të kombit, diplomë që asnjë universitet në botë nuk mund ta lëshojë e të cilën Albani e mori nën ëmblemën e UÇK-së”, tha Kurti në fjalimin e tij./KlanMacedonia