May 1, 2024
Kolumna

Albin Kurti kujton ngjarjen e 11 shtatorit: Isha në burg, kur serbët shpërthyen nga ekzaltimi

Albin Kurti, sot Kryeministër i Kosovës me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se 20 vite më parë, në 11 shtatorin tragjik të sulmit terrorist ishte në një nga qelitë e burgut të Serbisë.

“I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo. Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork. Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001. I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar”, shkruan Kurti.

ADVERTISING

Më tej ai shprehet se “këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive”.

“Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan. Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës”, thekson kryeministri i Kosovës.