Maqedoni

Aktorët politikë, burimi kryesor i “ndotjes” së hapësirës mediatike

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, retorika e dëmshme mes aktorëve politikë intensifikohet, tregon Raporti i ri i Institutit për Studime të Komunikimeve, i cili mat narrativet e dëmshme politike në dy muaj e fundit. Raporti shton se aktorët politikë janë burimi kryesor i, siç thonë ata, i “ndotjes” së hapësirës mediatike dhe janë gati për “fushatë të zezë”.

“Te VMRO-DPMNE-ja narrativet e dëmshme më së shumti i drejtohen LSDM-së dhe BDI-së, të cilat partia opozitare i paraqet si “struktura kriminale, të papërgjegjshme dhe që nuk marrin parasysh interesat kombëtare”. LSDM, nga ana tjetër, shpeshherë e cilëson VMRO-DPMNE-në si “frenues i integrimit evropian” dhe e akuzon për qeverisje të korruptuar në institucionet lokale në mbarë vendin. “E Majta” shënjestron LSDM-në dhe BDI-në, por nuk kursen as VMRO-DPMNE-në, duke u paraqitur si një parti e vogël që punon për qytetarët kundër blloqeve të mëdha partiake” – Raport për narrativet e dëmshme politike.

Sipas Raportit, populizmi është gjithashtu në rritje, kështu që vërehet se pothuajse të gjitha subjektet politike kanë tendencë të paraqiten si në anën e popullit, duke përfaqësuar interesat e tyre në krahasim me kundërshtarët e tyre politikë. Me afrimin e datës së zgjedhjeve, edhe gjuha e përdorur është më e mprehtë. Akuzat për ndikim të huaj ishin dhe janë element i pashmangshëm i hulumtimit.

“Nëse në periudhën paraprake akuza të tilla i drejtoheshin kryesisht “Të Majtës” dhe VMRO-DPMNE-së, për të cilat LSDM-ja në pushtet pretendonte pa prova se janë nën ndikimin rus, është risi që Lidhja Evropiane për Ndryshim në janar dhe shkurt fokusohet në sulmet kundër Ali Ahmeti dhe përfaqësuesit e lartë të BDI-së, veçanërisht për temën e ndikimit negativ të jashtëm nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në politikën e brendshme. Nga ana tjetër, BDI shpeshherë akuzon kundërshtarët politikë nga partitë shqiptare për “lidhje ruse” dhe vë në dukje narrative etnocentrike dhe retorikë dikotomike “PO për Evropën, JO për Rusinë” që po merr përmasa me kandidaturën për president të vendit” – Raport për narrativet e dëmshme politike.

Sipas Raportit, shqetëson fakti i kritikave të shpeshta të aktorëve politikë me ndikim, si nga ish-kryeministri Kovaçevski, ashtu edhe nga lideri i opozitës Mickoski, ndaj mediave, gjë që nxit klimë mosbesimi dhe shkelje të lirisë së shprehjes. /Alsat.mk