May 4, 2024
Kosovë

Aksion i madh në Kosovë, mbi 30 të arrestuar

31 të arrestuar në aksionin “Subvencione”, Prokuroria jep detaje

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, 31 persona janë arrestuar në aksionin e sotëm “Subvencione 2021”. Prokuroria njofton se aksioni i nisur kohë më parë, sot është kryer në Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot Vushtrri dhe Podujevë.

Sipas Prokurorisë, 12 nga 31 të arrestuarit janë zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK-së.

“Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione”, thuhet në njoftim.

Personat e ndaluar dyshohen për veprat penale ‘marrje e ryshfetit, ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘dhënie e ryshfetit’, ‘mashtrim me subvencione dhe ‘falsifikim i dokumenteve’.

“Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm”, thuhet në njoftim.