Maqedoni

Aksidentit në Bullgari, asnjë masë nga Dogana pas largimit të dy punonjësve

Doganat, pa përgjigje konkrete lidhur me masat që kanë marrë pas aksidentit tragjik me autobusin e Besa Trans në Bullgari ku humbën jetën 45 shtetas tanë. Në pyetjen e ALSAT lidhur me pezullimin e punonjësve të doganës dhe masave të tjera shtesë, nga ky institucion, kthyen të njëjtën përgjigje të shkurtër, se gjithçka që ka kërkuar organi hetues, do t’u dorëzohet.

“Drejtoria e Doganave njofton se Sektori për përgjegjësi profesionale ka përfunduar kontrollin e brendshëm lidhur me rastin e autobusit “Besa Trans”. Gjetjet nga ai kontroll, si dhe të gjitha informatat e tjera shtesë, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike do të dorëzohen në interes të hetimeve të mëtutjeshme për zbardhjen e plotë të këtij rasti”, njoftojnë nga Drejtoria e Doganave.

Një nga organet e tjera që duhej të vihej në lëvizje pas kambanës së alarmit që ra me aksidentin në Bullgari, lidhur me gjendjen financiare nëpër kompanitë që zhvillojnë transport udhëtarësh, është edhe Policia Financiare. Drejtori i këtij institucioni, për ALSAT, theksoi se Prokuroria nuk e ka autorizuar atë, për të hetuar manipulimet e mundshme financiare të Besa Trans, apo edhe kompanive të tjera me buxhet të ulët.

“Deri tani në Policinë Financiare ende nuk ka ardhur ndonjë urdhër nga Prokuroria që të kërkojnë nga ne për të bërë hetime lidhur me rastin tragjik që ndodhi disa ditë më herët. Nëse Prokuroria mbas këtij hetimi që do të bëhet për këtë rast tragjik, besojmë se do të hapen rrugë të reja për të bërë hetime edhe për kompanitë tjera në të ardhmen nëse zbardhet diçka nga ky hetim”, tha Arafat Shabani, Drejtor i Policisë Financiare.

Pas aksidentit tragjik më 23 nëntor, ku humbën jetën 45 persona mes të cilëve edhe 12 fëmijë, autoritetet vendore u mjaftuan vetëm me pezullimin nga puna të 2 doganierëve, edhe pse autobusi pa licencë i Besa Trans kishte përshkuar këtë itinerar për 113 herë të tjera. Po ashtu, edhe nga Ministria e Brendshme zhvilluan disa kontrolle nëpër autobusë, për gjendjen e tyre teknike, por deri tani, asnjë masë konkrete që raste të tilla të manipulimit të kompanive të udhëtimit, të evitohen. Më 13 shkurt të vitit 2019, në Llaskarcë, edhe një autobus i “Durmo Turs” pësoi aksident ndër qytetas, duke shkaktuar 16 viktima, ndërkohë që familjarët e tyre prej vitesh presin tashmë verdiktin e gjykatës.