Maqedoni

Aksident i rëndë në Shkup, shoferi dhe udhëtarët ishin fëmijë

MPB ka dhënë detaje nga aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkup, përcjell TV21. Autoritetet njoftojnë se makina që u aksidentua po drejtohej nga një fëmijë.

“Mëngjesin e sotëm në orën 04:20 minuta është raportuar se në kryqëzimin e Blv. “Nënë Tereza”, me rrugën “Todor Aleksandrov” dhe “Beogradi”, automjeti i pasagjerëve “Ford Mondeo” me targa të Shkupit, i drejtuar nga një i mitur nga Shkupi, ka goditur një ndriçues metalik të rrugëve dhe rrethojë betoni”, thonë nga MPB.

Sipas të dhënave të MPB-së, i mituri që drejtonte automjetin dhe tre pasagjerë të tjerë të mitur, njëri nga Strumica, dy nga Shkupi kanë marrë lëndime të rënda, të konstatuara në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” dhe Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”.