Maqedoni

Akademia e shkencave të Kosovës: Bujar Osmani ministër, por shqiptarët nuk janë relevantë në politikën e jashtme

Polemika të nxehta kanë pushtuar median në Kosovë e mbarë rajonin lidhur me një analizë 39 faqëshe të Akademisë së Shkencave të Kosovës. Në dokument, flitet për idenë e ndarjes së Kosovës dhe madje theksohet se kreu i BDI-së Ali Ahmeti, drejtues i UÇK-së në kryengritjen e 2001-it, ka dhënë mbështetje për ndarjen e Kosovës.

Sipas dokumentit të cituar nga Nacionalja e Kosovës, i quajtur “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, Ali Ahmeti ishte një nga liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut që do ta pranonte në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë.

Sipas analizës 39 faqëshe të Akademisë së Kosovës, Ali Ahmeti ishte deklaruar disi i rezervuar për idenë e korrigjimit të kufijve, që në vitin 2018 ishte aktualizuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Krejt këtë nismë të Thaçit, Ahmeti e kishte cilësuar si “debat mediatik”, duke theksuar se duhet “demarkacion” të kufirit me Serbinë. Madje Akademia e Shkencave të Kosovës akuzon Ali Ahmetin edhe për defaktorizim të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut pas “Marrëveshjes së Prespës”.

Në analizë theksohet se shqiptarët nuk janë më relevantë, posaçërisht në politikën e jashtme, ndonëse aktualisht ministër i Punëve të Jashtme është një politikan shqiptar, Bujar Osmani./Alsat.mk