Maqedoni

Ahmetit iu “ngatërruan kabllot” te fabrika e kabllove në Saraj: Një problem më pak, dy probleme më pak…

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti është duke marrë pjesë në hapjen e një investimi privat në vlerë prej 3 milionë euro – “One Cable” në Saraj.

Ahmeti tha se si partner i koalicionit përpiqen që të krijojnë kushte për investuesit vendas dhe të huaj.

“Ne jemi përpjekur si partner të koalicionit që të krijojmë kushte në radhë të parë për investuesit vendas. Ne jemi përpjekur që të krijojmë kushte për investuesit ndërkombëtar, se në këtë vend ka perspektivë”, tha Ahmeti, transmeton TV21.

Shtoi, se “kemi punuar dhe punojmë që vendi ynë sa më shpejtë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”.

Me këto investime, sipas Ahmetit do të krijohen vende të reja të punës që do t’i mundësojnë atij të kenë një problem më pak, e për kryeministrin Zoran Zaev dy probleme më pak.

“Me këtë, unë kam një problem më pak, Zoran Zaev dy probleme më pak. Sepse vetëm duke hapur perspektiva dhe vende të reja të punës, mund të ecim përpara”, përfundoi në mënyrë të pakuptueshme Ahmeti, sikur tiu kishin “ngatërruar” kabllot.