April 30, 2024
Maqedoni

Ahmeti nga Struga: Ky është mision, andaj jemi bërë bashkë për fitore spektakolare

Fronti Evropian aktivitetet parazgjedhore i vazhdoi në komunën e Strugës. Para simpatizantëve, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët fjalë rasti kanë mbajtur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryeministri Talat Xhaferi si dhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër pesë Ziadin Sela.

Ali Ahmeti tha se ky front do jetë edhe më i fortë në të ardhmen sepse ka vite që e përcjell por kryesisht këto dy vitet e fundit kemi punuar intensivisht.

“Struga ka dhënë prova që në moment kur duhet del të bashkohet dhe mendoj që ky front në brendi ndërtohet nga misionarë, atdhetarë, patriotë që duan çështjen dhe misionet e amanetet ti çojnë përpara. Ky është misioni se pse jemi bërë bashkë. Jemi bërë bashkë për t’u bë më të fortë sepse edhe rrethanat në të cilat jetojmë janë rrethana që duhet me shumë kujdes të veprojnë dhe punojnë. Kemi problem akoma të pazgjidhur në rajon, Kosovë Serbi, kemi një Bosnjë jo funksionale me tre shtete që assesi të jenë një. Kemi problem të pazgjidhur që është pengesë me ndryshimet kushtetuese sa i takon ndryshimit që duhet bërë tek ne që komuniteti bullgar të bëhet kategori kushtetuese dhe asgjë e keqe nuk është nëse këto komunitete zënë vendin e tyre dhe trajtohen si të tjerët. Moszgjidhja e këtij problemi sigurisht që paraqet problem sepse nuk mund të hapim kapituj drejt anëtarësimit në BE. Të gjithë ata forca regresive që paraqiten dhe unë i dëgjoj dhe vërtetë është dëshpëruese kur dëgjon bashkëqytetarë maqedonas kur flasin kundër Amerikës e Evropës dhe ju them se me armiqësi të përhershme nuk jetohet. Ky front do jetë edhe më i fortë në të ardhmen sepse ka vite që e përcjellë por kryesisht këto dy vitet e fundit kemi punuar intensivisht”, u shpreh Ahmeti.