Ahmeti: Lavdi e përjetshme Jasharajve, në Prekaz kupton se sa madhështore është liria
Me rastin e 25 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i shoqëruar nga zyrtarë të lartë shtetëror, ka kryer homazhe tek varrezat e familjes Jashari në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.
Përmes disa fotografive të shpërndara në rrjetin social Facebook, Ahmeti shkruan se sakrifica e familjes Jashari dëshmon se ata e deshtën Kosovën më shumë se jetën dhe se pikërisht nga Prekazi jehon amaneti që shqiptarët të ndjekin rrugën përparimtare gjithmonë.
Statusi i plotë:
Kur qëndron pranë varreve lapidare të familjes Jashari në Prekaz kupton sa madhështore është LIRIA, nga aty jehojnë ende amanetet e tyre për Kosovën si trokitje e pavdekshme në ndërgjegjen tonë kombëtare për ta ruajtur e përparuar përjetësisht.
Gjaku i tyre i pastër ujiti tokën për të lulëzuar sërish pranvera në Kosovën që e deshtën më shumë se jetën!
Lavdi e përjetshme Jasharajve, të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë së Kosovës!