May 14, 2024
Maqedoni

Aggeler: Ekipi i sanksioneve nga Amerika sërish do vijë në Shkup (Video)

Shkup, 20 korrik- Antikorrupsionerët nga Amerika sërish do vijnë në Shkup, njoftoi ambasadorja amerikane Angela Aggeler në press konferencën e sotme me gazetarë, kushtuar emrave të fundit që u bënë pjesë e “Listës së Zezë”.

Mirëpo Aggeler shtoi se informacione në këtë temë vazhdimisht grumbullon edhe ambasada amerikane në Shkup, shkruan Lideri.mk

“Po, ata kthehen rregullisht, së shpejti do të kthehen sërish në një pikë gjatë vitit të ardhshëm”, theksoi Aggeler duke u përgjigjur në pyetjen e portalit Lideri.mk për mundësinë e rikthimit të antikorrupsionerëve që zyrtarisht ambasada i quan “ekip i sanksioneve”.

Aggeler sqaroi se shumica e informacioneve bazë për personat dhe kompanitë që futen në të ashtuquajturën “listë e zezë” mblidhen nga Ekipi i Drejtësisë në Ambasadë.

“Ekipi i sanksioneve që e vizitoi vendin në fund të vitit të kaluar, ata na vizitojnë rregullisht, por informacionet kryesore që mbledhim janë përmes ekipit tonë të drejtësisë këtu në Ambasadë dhe përmes partnerëve. Ne punojmë shumë afër me organizata investigative në këtë vend, që gjithashtu punojnë me anëtarë të ndryshëm të gjyqësorit për të marrë ata informacione, që të sigurohen për Uashingtonin”, tha Aggeler.

Ambasadorja amerikane poashtu ka folur edhe për personin e fundit që u bë pjesë e listës së Zezë, Jordan Kamçev

Ambasadorja e SHBA-ve në vend, tha se Departamenti Amerikan i Shtetit vepron ndaj një personi kur ka fakte të forta ndaj tij dhe se si rrjedhojë po vijnë edhe sanksionet ndaj disa personave në Maqedoninë e Veriut. Aggeler u shpreh e prerë se korrupsioni nuk duhet të lejohet në asnjë formë.

“Gjyqësori, ose zyrtarët tjerë qeveritar këtu, nga ata varet nëse do të marrin veprime të tjera, ndërsa vendimet e tyre duhet të bazohen në ligjet e Maqedonisë së Veriut, por korrupsioni nuk duhet të lejohet në asnjë formë në këtë shtet. Ata që e kanë minuar sundimin e së drejtës për përfitime personale, në kurriz të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duhet ta kuptojnë se korrupsioni ka pasoja” – tha Angela Aggeler, ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

Ambasadorja ka shtuar se nuk mund të thotë se kush do jetë emri i radhës “non grata”, duke theksuar se kjo çështje është në ingerenca të Uashingtonit./Lideri.mk